Kampionati kinez është kthyer në një modë në ditët e fundit. Disa prej lojtarëve që luanin në klubet më prestigjiozë në Europë preferuan të kalonin në vendin e Lindjes së Largët për të vijuar karrierën e tyre. I fundit që e bëri një lëvizje të tillë ishte Ezequiel Lavezzi, i cili u transferua te skuadra e Hebei Fortune, ku do të përfitojë 13 milionë euro në sezon.

Megjithatë, klubet e Superligës kineze nuk ndalen këtu. Këtë radhë në shënjestër është vënë sulmuesi i Manchester United, Wayne Rooney, i cili kërkohet nga një njohje e vjetër e tij, Sven Goran Eriksson, trajner i Shanghai SIPG. Sipas asaj që publikohet në media të ndryshme, për Rooney-n, Shanghai ka përgatitur një kontratë me një pagë prej 644 mijë euro në javë osë 33.5 milionë euro bruto në sezon.

Për momentin, Rooney te Manchester United përfiton 20 milionë euro bruto në sezon, ndërkohë që kontrata e tij me “Djajtë e Kuq” skadon në vitin 2019.Sven Goran Eriksson ka punuar me Rooney-n në periudhën 2001-2006 kur ai ishte trajner i skuadrës së Anglisë dhe nuk e ka fshehur dëshirën për ta pasur sërish atë nën urdhrat e tij.

“Më thoni një trajner që nuk dëshiron të ketë Rooney-n në skuadër”, mësohet të ketë thënë Eriksson. “Por mendoj se në këtë moment ai nuk e mendon largimin nga Manchester. Jam i sigurt se në të ardhmen do të shohim të luajnë në Kinë edhe futbollistë si Messi dhe Ronaldo”, përfundon trajneri i njohur.