Profesori i socialistëve, Servet Pëllumbi, e sheh të ezauruar debatin e bërë në Asamblenë Kombëtare, por dhe në Kongresin e PS-së për çështjen e mandatit të kryetarit, e ku statuti u votua nga shumica absolute e delegatëve.

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, profesori thotë se debati për statutin nuk duhet të vazhdojë më pas votimit të tij në Kongres. Ai ka dhe një këshillë për ata që vijojnë të jenë oponentë.

“Kush nuk e gjen veten më në këtë statut apo në këtë familje dhe në këtë parti, është i lirë të shkojë ku të dojë, nuk imponohet kush të qëndrojë apo të mos qëndrojë”, shprehet Pëllumbi.

Pas kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako, kjo është deklarata e dytë publike brenda radhëve të Partisë Socialiste për largimin e Ben Blushit nga partia.

Gjatë Asamblesë Kombëtare të PS-së, Dako doli hapur kundër Ben Blushit duke u kërkuar socialistëve përjashtimin e tij nga PS­-ja, madje shkoi deri aty sa tha që ajo çka i bënë Blushit në Elbasan, ishte shumë pak (lexo: Dako zbulon inatet e vjetra me Blushin).