27tetor 2015 – Rrugës së Gjirit të Lalëzit, rreth 50 kilometra nga kryeqyteti ndodhet fshati Hidrovor. Mes dy qyteteve më të mëdha, Tiranës e Durrësit, pranë zonave turistike, Hidrovori me rreth 2000 banorë do duhej të ishte një fshat i zhvilluar, me kopshte, shkolla e spitale. Jo vetëm që nuk është kështu, por aty mund të regjistrosh absurdin e radhës në Shqipëri.
Një ndërtesë një katëshe me tre dhoma shkruan në një tabelë të madhe: “Ambulanca Hidrovor”. Pikërisht këtu mësojnë 50 nxënësit e këtij fshati. Shirat e tetorit e kanë mbushur oborrin me ujë e nxënësit janë nën pushtetin e tij. Muret e klasës janë plot me lagështirë e fëmijët, prej të ftohtit, gjatë mësimit mbajnë në kokë kapele. Renisa dhe Sanija, nxënëse në klasë të katërt tregojnë se kushtet ku mësojnë janë shumë të vështira. “Shiu bie brenda dhe klasa vjen erë myku. Zgjidhja e vetme që kemi për t’u ngrohur është të vishemi trashë”,- thonë ato.
Dyert e klasave nuk mbyllen, sa për bankat dhe stolat nuk mund të flitet, pasi këto janë luks për këtë shkollë, problemet e së cilës nuk mund të numërohen me gishtërinjtë e njërës dorë. Sipas mësueseve, kushtet e kësaj godine bëjnë që procesi mësimor të mos zhvillohet normalisht, e rastet kur fëmijët ankohen për dhimbje të ndryshme nuk janë të pakta.
“Faktikisht unë kam një nxënëse në klasë të parë që vazhdimisht qan në orën e mësimit dhe ankohet që nuk ndjehet mirë. Megjithatë, edhe nxënësit e tjerë nuk është se janë shumë të qendrueshëm, pasi u tërheq vëmendjen çdo lëvizje e zhurmë që ndodh jashtë”,- thotë Elvana Cakri, mësuese në këtë shkollë.
Në këtë godinë mësohet dhe njëherazi mjekohen pacientë. Teksa bën mësim klasa e katërt, vetëm dy hapa më larg vazhdon punën Qendra Shëndetësore e Hidrovorit. Tabelat mbi derë të kujtojnë: “Mjeku për të gjitha grupmoshat. Konsultori i gruas e fëmijës. Injeksione- mjekime”.
Nëse i hedh një sy regjistrit të kësaj qendre kupton se me dhjetëra pacientë vijnë çdo ditë këtu për t’u mjekuar. Edhe më tej akoma, në tualetin e kësaj ambulance, që ndan të njëjtin korridor me nxënësit, gjen ngado shiringa, age e deri tek kutitë e serumit, që ruhen aty. Tualeti i fëmijëve, nëse mund të quhet i tillë, ndodhet jashtë godinës, në kushte skandaloze.
Situata alarmante ka bërë që këtë ditë mësimi të mos nisë si zakonisht në shkollën e Hidrovorit. Banorët kanë hyrë në oborr, për të protestuar mbi këto kushte.
“Këtu janë vetëm tre dhoma, në dy prej tyre mësojnë nxënësit, në tjetrën është ambulanca e fshatit. Sikur një i plagosur të vijë nga rruga, fëmijët tanë do të tmerrohen”,- thotë një prej prindërve.
“Na quajnë Gjiri i Lalëzit, gjoja bëhet turizëm, por kjo vetëm shkollë nuk quhet. Këto kushte nuk janë minimale jo vetëm për Shqipërinë e vitit 2015, por edhe në Afrikë, ku njerëzit vdesin për bukë”,- ngre shqetësimin një tjetër prind.
“Unë kam vajzën në klasë të tretë dhe vij e marr shpesh nga shkolla pasi më ankohet për dhimbje barku dhe koke. Këmbët i kanë nën ujë, e kushtet janë si mos më keq”,- thotë babai i një nxënëseje që frekuenton këtë shkollë.
Prindërit dhe gjyshërit nënshkruajnë një peticion, që do t’ua nisin më pas Bashkisë Durrës, Drejtorisë Arsimore, Drejtorisë së Shëndetit Publik dhe Prefekturës së Durrësit.
Shkolla “Hidrovor” varet nga shkolla 9- vjeçare “Hamallaj” që po ashtu ka një sërë problemesh. Një shtëpi aty pranë, përmes një kanali i derdh ujërat e zeza në oborrin ku çdo ditë gjen 300 nxënës. Ramazan Suli, drejtor i të dyja shkollave tregon se e ka ngritur alarmin pranë institucioneve përgjegjëse, por nuk ka marrë asnjë përgjigje. Ai nënvizon se asnjë specialist i Institutit të Higjienës nuk ka ardhur për ta parë këtë situatë, me gjithë shkresat zyrtare që u janë dërguar.
Problemet nuk kanë të sosur. Suli disponon një dokument që tregon se para një viti u miratua një fond me tetë milion e gjysmë lekë të vjetra, por nga këto ai thotë se ka parë vetëm një milion e gjysmë.
“Nëse ma kërkon dikush firmën, unë e jap vetëm për një milion e gjysmë lekë, që janë përdorur për ristelat dhe tjegullat e shkollës “Hamallaj”. Pjesa tjetër e lekëve nuk dihet ku ka shkuar. Është detyrë e strukturave shtetërore që të hetojnë”,- thotë Suli.
Ai shton se në krah të shkollës “Hamallaj” po ndërtohet një godinë, por kjo nuk do ta zgjidhë problematikën e nxënësve të Hidrovorit, që nëse nuk shikohet një zgjidhje tjetër, do të vazhdojnë mësimin në të njëjtën godinë me ambulancën.
Teksa ikim nga Hamallaj, nxënësit na thonë se ata nuk kërkojnë wireless, e as tableta si në shkollat e Perëndimit, por duan thjesht të mos mësojnë me të sëmurët. Prindërit e tyre, nga ana tjetër, shpresojnë që politikanët që do të zgjedhin për pushime Gjirin e Lalëzit, gjatë rrugës për aty, të kthejnë ndonjëherë kokën nga këto shkolla…
/Top-channel/