Nga Nikoll Lesi

Mbrëmë vonë, mu te hyrja e redaksisë së gazetës KOHA JONE, një mori forcash speciale morën me dhunë kryeredaktorin e gazetës, Qamil Xhani. Nuk isha në redaksi në atë moment, por më sqaruan (janë edhe kamerat) se si kryeredaktori mu te dera e “shtëpisë” së tij, pra gazetës, ishte kur ka parë se si policët po rrihnin dy minorenë “protestues”. Gazetari ka drejtuar celularin për t’i filmuar pasi ishte lajm dhe për lajmin nuk prekesh. Në çast forcat speciale janë turrur drejt kryeredaktorit. Ai i ka sqaruar se jam gazetar dhe drejtues i gazetës, por sapo e kanë dëgjuar fjalën KOHA JONE, i janë sulur edhe të tjerë, duke e marrë me forcë, dhunshëm. Dhe po dhunshëm e kanë goditur në makinën e policisë, pavarësisht se iu ka shpjeguar se çfarë pune bën, porse në radiot e policisë dëgjohej “silleni këtu në komisariat”, siç tregon më vonë zoti Xhani.

Asnjë shpjegim në makinën e policisë nuk ka dhënë sukses për ta mbyllur rrugës një veprim të tillë të turpshëm policesk. E kanë futur në një sallë me mbi 50 veta në komisariatin numër 2, ku siç deklaron kryeredaktori nuk kishte as maskë, por ngjeshur me njeri-tjetrin si sardele e ku kërciste dajaku.

Nëse do të ishte rast sporadik edhe mund të mos bënim zhurmë të madhe, por rastet po përsëriten vrullshëm. Parmbrëmë morën një gazetar të Oranews, para ca muajsh e provova vetë pak metra nga redaksia kur tentuan të me merrnin me forcë edhe mua në komisariat, gjë për të cilin ju zoti kryeministër me thatë se ishte gabim.

Por “gabim”, “gabim” dhe prapë “gabime”, sikur nuk shkon zoti kryeministër!

Natyrisht që nuk keni urdhëruar ju mbrëmë, as drejtori i përgjithshëm i policisë, mendoj as ministri në ikje, por është fryma që keni përhapur në polici e në shtet. Frymë arrogante, dhune dhe bashkuar me një ironi e tallje ndaj çdokujt që nuk është në të njëjtin mendim me ju; e gjitha kjo vjen nga Ju si drejtues qeverie.

E natyrisht polici apo zyrtari nuk ka pse të marrë leje nga Ju apo nga Endri Fuga, por e di se si duhet reaguar ndaj “armiqve” të pushtetit!

Ndalimi i një gazetari të thjeshtë apo edhe punonjësi të medias mbetet lajm. Aq me tepër kur ndalohet një kryeredaktor gazete, sidomos i gazetës së parë të pavarur shqiptare, KOHA JONE. Edhe Ju keni punuar, pra shkruar, dikur ndër vitet 1992-1997 në gazetën KOHA JONE. Shkrime, intervista dhe analiza brilante që drithëronte pushtetin e asaj kohe të Sali Berishës; ju i keni shkruar. Atëkohë kur na vinte policia te redaksia, ti thoje se “nuk i nis Saliu, por fryma e Saliut”. Dhe kishe të drejtë.

Për dreq dhe për fat të keq tani pas 25 vitesh ti po vepron me të njëjtën mënyrë, por të pakten ti nuk na ke djegur redaksinë!

Zoti na shpëtoftë edhe nga kjo, si dikur!

Edi!

Ka ardhur koha të ikësh, duhet ta bësh edhe për veten tënde se je rënduar pak si shumë nga lodhja e pushtetit 8 vjeçar dhe 22 vjeçar në total.

Ik, Edi sa ke kohë se mund të dalësh prapë udhëve lirshëm!

Sa me shumë e mbush kazanin tënd me zullume, aq me vështirë do të jetë ta shpërlash.

Në fakt kur i vjen ngordhja të zotit të qenve, kështu ndodh!