Trajneri i Teutës, Edi Martini, është shprehur i kënaqur me atë që ekipi i tij tregoi në miqësoren kundër Vllaznisë. Shkodrani i stolit durrsak ka folur për nevojat që skuadra ka për përforcime në merkato, ndërkohë që nuk ka munguar as batuta për kolegun gjerman te Vllaznia, Tomas Brdariç, të cilit i rrëmbeu tre sezone më parë titullit kampion në Superiore.

Sa ju vlejti kjo miqësore?

Na vlejti kjo miqësore, sepse vinim nga Puka direkt dhe këmbët janë të lodhura. Vllaznia ishte më para se ne në stërvitje, por na vlejti ndeshja, pasi jemi në konsolidim të formacionit dhe të mbylljes së përgatitjeve për sezonin e ri. Lojtarët bënë gabime, por që vijnë duke u mbyllur. Në përgjithësi jam i kënaqur.

Çfarë Teute do të shikojmë këtë sezon?

Besoj një Teutë më të mirë se ajo e vjetshmja.

Një koment për tre shkodranët e ekipit tuaj, Krujën, Markun dhe Gjinin?

Ne nuk kemi shkodranë dhe të tjerë, Teuta është një skuadër.

Mendoni se skuadra është gati për kampionatin e ri?

Jo, e thashë edhe më lart, pasi lojtarët i kanë ende këmbët e rënda nga stërvitja e fortë. Javën që vjen kemi edhe dy ndeshje miqësore dhe skuadra do të vijë drejt konsolidimit. Starti i kampionatit besoj se do të na gjejë gati.

Cilat janë objektivat për këtë sezon?

Unë vjet e humba 4-shen për golaverazh. Mendoj se kam në dispozicion një skuadër më të kompletuar se ajo e sezonit të kaluar. Me atë që pata vjet vetëm për një gol nuk ia dolëm të shkojmë në Kupat e Europës. Rrjedhimisht, sezonin e ri objektivi ynë kryesor është të renditemi në një nga 4 vendet e para të renditjes dhe me pas të shohim se çfarë do të ndodhë.

Sa ju ka vlejtur faza përgatitore në Pukë?

Na ka vlejtur shumë. Ne kemi klimë fantastike në Shqipëri, mund të them se në darkë në Pukë ishim me bluza me mëngë të gjatë. Në çdo aspekt na kanë qëndruar gati, ushqimi ishte i mirë, klima siç e thashë, fusha e mirë. Besoj se kemi bërë një fazë përgatitore optimale, pavarësisht se një virozë tri ditët e fundit ndikoi te disa lojtarë.

Jeni shprehur më parë se prisni edhe një sulmues?

Sulmuesi ka ardhur, ishte në tribunë në këtë miqësore. Por është herët që të flitet, pasi duhet të shkrihet me ekipin. Bëhet fjalë për një lojtar që di të shënojë gol, por gjithsesi mbetet ta shikojmë.

Përqafime në fund të ndeshjes me kolegun Brdariç. Keni raporte të mira me të…

Më bëhet qejfi, sepse kur vjen Brdariç gjithmonë dal përpara tij në kampionat.