Një ndryshim i papritur situate në radhët e kampionëve të Teutës. Drejtuesit e skuadrës kanë bindur Edi Martinin që të kthehet në stolin e durrsakëve.
Tekniku, që shpalli kampion durrsakët, do të rifillojë punën e tij në drejtimin e skuadrës.
Ndërkohë, Renato Arapi do të kthehet përsëri në rolin e caktuar në fillim të sezonit për të, atë të drejtorit sportiv.
Martini dha dorëheqjen nga drejtimi i skuadrës durrsake më 26 nëntor, pas humbjes në ndeshjen me Partizanin.
Në këto javë, ekipin e drejtoi Renato Arapi, bashkë me stafin që kishte pasur tekniku shkodran gjatë kësaj periudhe në klubin të cilin e kishte shpallur kampion dhe me të cilin kishte fituar edhe Kupën e Shqiperisë dhe 2 Superkupa në vetëm 2 vite.
Aktualisht Teuta gjendet në vendin e gjashtë me 18 pikë të grumbulluara, ndërsa objektiv mbetet konfirmimi si kampionë të Superiores.
Sakaq, ndeshja e radhës për durrsakët është ajo e së dielës ndaj Tiranës në stadiumin “Air Albania”, në orën 19:45.