Largimi i Diego Longos ka lënë bosh stolin e Teutës, me drejtuesit që kanë nisur menjëherë nga punë për gjetjen e një zevendësuesi. Edi Martini po përflitet për një rikthim në Durrës, me shkodranin që është trajner më i suksesshëm me “djemtë e detit” pasi ia ka dalë të fitorjë 4 trofe. Gjithsesi sipas shtypit të shkruar, bëhet me dije se një tjetër emër kampioni ndodhet në zyrat e presidentit Edmond Hasanbelliu. Bëhet fjalë për Giovanni Colellën, i cili fitoi titullin kampion me Partizanin sezonin e kaluar.
Colella e njeh mjaft mirë Superioren dhe tashmë si trajner kampion mund të rikthejë durrsakët te rezultatet pozitive në kampionat. Në këtë mënyrë Martini dhe Colella do të “luftojnë” mes tyre për stolin e Teutës. Mbetet të shihet se kë do të zgjedhë Hasanbelliu, nëse do t’i besojë Edi Martinit që e njeh mirë Teutën, apo Colellës që fitoi titullin me Partizanin. Më shumë gjasa ka që Teutën ta drejtojë Martini i cili fitoi titullin (2021), Kupën (2020) dhe Superkupën e Shqipërisë (2020, 2021) si trajneri i Teutës. Kjo do të ishte hera e pestë që ish-sulmuesi i njohur shkodran do të merrte drejtimin e bregdetarëve, po aq sa numri i trofeve të fituar si trajneri i skuadrës.
48-vjeçari drejtoi Teutën për herë të parë në periudhën (qershor 2010-maj 2011). Aventura e dytë që u shoqërua me fitimin e katër trofeve, zgjati nga dhjetori 2019-nëntor 2021, teksa u rikthye sërish në pankinën e Teutës më 16 dhjetor të vitit 2021, por drejtoi ekipin në katër ndeshje dhe u largua më 23 janar të këtij viti. Herën e fundit Martini drejtoi Teutën sezonin e kaluar, teksa u ul në pankinë në nëntor të një viti më parë dhe qëndroi deri në qershor. Teuta vendosi të shkarkojë Diego Longon paraditen e të dielës, teksa fatale rezultoi humbja 2-0 në Shkodër.