Nga Dritan Shano

Edi dhe Partia Socialiste, që dje nuk ka më slogan për fushatën elektorale. Shpresa, përpjekjet, përsiatjet dhe përpëlitjet e Kryeministrit, i cili ka tre vjet që i rri shqiptarëve si telenovelë në TV, me nga 2 orë paradite dhe 2 orë pasdite, dhe është 24 orë papushim në rrjetet sociale, ishte që jo vetëm të kapte drejtësinë por dhe të akuzonte Partinë Demokratike se nuk e donte reformën në drejtësi me çdo çmim.

Kjo do ishte parulla, slogani elektoral i tij, që të mbulonte asgjënë e tij për shqiptarët. Kjo shpresë nuk arriti të plotësohej. Sepse ai, dhe të gjithë miqtë e tij, mbështetësit e tij, kudo që ndodhen dhe çfarëdo përfaqësojnë, e kanë analizuar keq PD-në, Lulzim Bashën dhe arsyen e tyre.

Slogani i tij, se ai, Edi Rama është Drejtësia dhe se PD është Padrejtësia u shkrumbos dje, kur Lulzim Basha ia fshiu me gomën e vullnetit, qëndrueshmërisë dhe vizionit atë vizën aq të dashur të kuqe. Vizën e kuqe pas të cilës ai mbrohej dhe zgërdhihej sepse e shihte si shpëtimin e vet politik, qeverisës, dhe elektoral. Viza e Kuqe e Edi Ramës ishte si një bunker atomik ku ai ishte i mbrojtur nga shkatërrimi që i ka bërë të tashmes dhe të ardhmes së gjithë shqiptarëve.

I fshehur pas saj, ai nuk e donte votimin e reformës në drejtësi si të vetmen mundësi që ka për të komanduar mendjen e shqiptarit dhe mbajtur larg atë nga rrënimi ekonomik dhe shoqëror që i ka sjellë Shqipërisë. Tashmë, asgjë nuk mund ta mbrojë Kryeministrin më të pa-aftë që ka patur ndonjëherë Shqipëria. Ai tha dje në drekë se Reforma ne drejtësi “o do votohet, o do votohet”, por nuk i la njerëzit e tij të shkonin dje në darkë ta përmbyllnin përgatitjen për votim të Reformës në Drejtësi. Nuk i dërgoi ata, por klithi me të madhe. Por dhe klithma e tij mashtruese, që kërkonte ndihmë dje në mes të natës u shua sot në mëngjes. Po tani? No Vizë, no party?! /Syri.net