Pas takimit me Metën, Rama shkroi editorialin e famshëm, ku flitej për rrëzimin e qeverisë “Berisha” para zgjedhjeve

Kreu i opozitës merr pjesë në drekën e organizuar nga Lefter Koka. Pritej edhe Ilir Meta

 

Banketi në Durrës

Edi Rama, lideri i opozitës shqiptare, ka festuar dje për disa orë së bashku me drejtues dhe eksponentë të lartë të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Në evenimentin i cili mësohet se ka qenë një gëzim i përbashkët mes miqsh, është pritur të vinte edhe kryetari i LSI-së, Ilir Meta, por që një punë e dalë në momentin e fundit, ka bërë që të uronte pjesëmarrësit nga larg. Akti më i ri i “telenovelës” tashmë të shumëndjekur për ribashkimin e së majtës ka pasur si terren banketin e organizuar nga kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Lefter Koka, me rastin e festave të fundvitit. Një banket, ku kanë marrë pjesë protagonistë të njohur të socialistëve dhe LSI-së, që si emërues të përbashkët kanë pasur miqësinë me familjen Koka, një nga më influentet në qytetin bregdetar të Durrësit. Dreka është zhvilluar dje në lokalin “Kamelia” tek “Ura e Dajlanit” në qytetin e Durrësit, e cila ka qenë kryesisht një “festë burrash të fortë” me këngë e valle, dolli pa fund dhe padyshim 11 balerina dhe këngëtare që këndonin “live”. Në drekë, përveç kreut të grupit parlamentar të LSI-së, Lefter Koka, kanë marrë pjesë i vëllai, Nar Koka, anëtari i Kryesisë së LSI-së, Spartak Braho, anëtari i Asamblesë së Partisë Socialiste, ish-ministri, Agron Duka, por edhe shumë njerëz të njohur, miq të përbashkët. Në kohën kur banketi ishte në kulmin e tij, tek dera e lokalit ka behur lideri i opozitës shqiptare, Edi Rama, i cili natyrisht kishte biseduar paraprakisht me organizatorët.

Ndërkohë që Rama ka hyrë në lokal, në sfond ishte një këngë e njohur por me tekst të përpunuar. Refreni i këngës “Ku ka si Tirona”, nga pjesëmarrësit në festë këndohej: “Ku ka si Ter Koka”. Por me hyrjen e kryesocialistit, një pjesë e mirë e pjesëmarrësve kanë nisur thirrjet: “Edi Rama kryeministër”, “Edi Rama, Lefter Koka etj.”. Kreu i socialistëve menjëherë ka nisur humorin me ftuesit dhe “është shkrirë” me partinë e burrave që ngrinin gota, duke uruar njerëzit kryesorë. Edhe pse një ambient miqësor, me hare dhe humor, politika natyrisht që nuk ka shpëtuar pa u diskutuar. Sigurisht është folur po me shaka “për evenimentin e madh të vitit” që do të trondisë politikën. “Ai do të jetë ngjarje e madhe”, thonin pjesëtarët e festës së djeshme në Durrës, natyrisht duke nënkuptuar paktin mes Edi Ramës dhe Ilir Metës. Takimi i djeshëm në Durrës, në fakt nuk është i vetmi ndërmjet liderit të opozitës dhe eksponentëve të lartë të LSI-së, por që në ditët e fundit po flitet për një takim midis Ramës dhe Metës, gjë që në fakt është pritur edhe dje.

Madje mësohet se në ambientet e lokalit janë përgatitur edhe ambiente të veçanta për një bisedë kokë më kokë, por në fakt nuk ka qenë një protokoll i organizuar nga bashkëpunëtorët e kreut të PS-së dhe atij të LSI-së. Organizatorët e festës, duke qenë që kanë ftuar së bashku Ramën dhe Metën, kanë marrë masat edhe për një takim të ngushtë mes tyre. Por në fakt, kryetari i Partisë Socialiste ka bërë të ditur se arsyeja e ardhjes në lokal ka qenë vetëm pjesëmarrja në festën që organizohej nga miq të tij, ndaj dhe është ulur menjëherë në tavolinë, ku dhe pse pak me vonesë, ka ngrënë e ka pirë së bashku me drejtuesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Kohët e fundit, po lëvizet fuqishëm në politikë për të krijuar një pol, i cili do bashkonte të gjitha forcat politike kundër Berishës, jo thjesht në zgjedhjet e vitit 2013, por edhe me një grumbullim forcash në Parlamentin e sotëm, ku numrat janë shumë të thyeshëm.

Prapaskena: Menaxherët e lokalit kanë bërë gati ambientet private për një takim mes Ramës dhe Metës

Balerinat: Gjatë festës së djeshme, e cila ka qenë më shumë një banket burrash, ka pasur muzikë “live” dhe 11 balerina që performonin në sallë

Pjesëmarrësit

Koka: Kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Lefter Koka, ka qenë organizatori i drekës me rastin e festave të fundit të vitit

Rama: Lideri i opozitës ka mbërritur me vonesë në festë, ku ka bërë humor dhe ka festuar së bashku me miqtë e tij të vjetër

Braho: Në festën e djeshme ishte i pranishëm edhe një nga drejtuesit kryesorë të LSI-së, avokati, Spartak Braho

Duka: Ish-ministri, aktualisht anëtari i Asamblesë së PS-së, Agron Duka, ka qenë gjithashtu një nga të ftuarit e banketit festiv

Rama mbledh drejtuesit e PS-së në Golem

Në ditët e fundit të vitit, kryetari i opozitës, Edi Rama, ka thirrur disa nga përfaqësuesit e Partisë Socialiste në një takim larg syve të medias, në Golem të Durrësit. Edhe pse nuk ka asnjë deklaratë zyrtare rreth takimit, mësohet se ky është takimi i dytë i këtij lloji pas mbledhjes së ngjashme që u zhvillua në Korçë, në fund të muajit gusht. Burime të “Top Channel” kanë mësuar se temë e diskutimit kanë qenë rezultatet e sondazheve të brendshme të Partisë Socialiste dhe strategjia që opozita do të ndjekë në muajt në vazhdim, që do të paraprijnë zgjedhjet e 23 qershorit. Kohët e fundit, Kryesia e PS-së miratoi strategjinë elektorale të saj. Në këtë mbledhje u caktuan dhe delegatët e saj, ku deputetët janë caktuar në zonat e ndryshme. Ky takim, ku kanë marrë pjesë dhe sekretarët kryesorë të PS-së, është fokusuar kryesisht te pjesa kryesore e strategjisë, që për PS-në është mbrojtja e votës në zgjedhjet e 23 qershorit 2012. Organizimi i strukturave për këto zgjedhje, përzgjedhja e anëtarëve të komisioneve që do të caktohen të dielën e 23 qershorit janë pjesë e strategjisë së partisë më të madhe të opozitës.

Marrë nga gazeta Shqip