DURRËS, 7 tetor 2014–  Kryeministri Edi Rama, gjatë një interviste televizive, ka komentuar zhvillimet e fundit politike, duke u ndalur kryesisht tek përplasja e heshtur me presidentin Nishani për zgjedhjen e guvernatorit të ri, reforma në drejtësi, bojkoti i opozitës, zhvillimet në selinë rozë etj. Rama pohoi se nuk ka një ngrirje marrëdhëniesh me kreun e shtetit, ndërsa pohoi se ka shpresa për të gjetur një zgjidhje për çështjen e guvernatorit të ri. Duke u ndalur tek zgjerimi i koalicionit, Rama pohoi se ka kontakte për të futur PDIU në qeveri. Ai tha se bisedimet kanë nisur pas votimit nga ana e PDIU të reformës administrative, ndërsa nuk i përjashtoi as ndryshimet në qeveri. Kryeministri u ndal edhe një herë tek 21 Janari, ndërsa tha se procesi për këtë ngjarje nuk ka nisur kurrë. Rama tha se 21 Janari nuk do të mbyllet pa drejtësi.   

 -Pse ju duhen pesë votat e PDIU? Synoni të krijoni një shumicë për të ndryshuar Kushtetutën?   

Kam parë në gazeta që negociatat janë bërë dhe janë ndarë edhe poste, ndërkohë që s’ka negociata, ka një komunikim që është vendosur për reformën territoriale-administrative, ku PDIU luajti një rol konstruktiv. Jemi në komunikim, por nuk ka negociata. As nuk e pohoj dhe as nuk e mohoj përfshirjen e PDIU në qeveri. Nuk përjashtojmë as një rishpërndarje të portofoleve ministrore, në kuadër të bashkëqeverisjes. Pjesë e reformës në drejtësi është edhe ndryshimi i Kushtetutës, dhe për këtë kërkojmë edhe bashkëpunimin e opozitës.  

-Si po i gjykoni punët e prokurorisë? A po bën sa duhet për të luftuar korrupsionin?

Një jurist i njohur thotë gjysmë me humor se drejtësia shqiptare ende nuk ka rrjeta për të kapur peshqit e mëdhenj…   Jemi ende larg ndëshkimit të krimit në nivelin e duhur. Jemi ende larg futjes së shoqërisë e vendit në zonën e ndëshkueshmërisë. Sot ne kemi dy probleme themelore: E para, jetojmë në një vend ku drejtësia nuk është e drejtë, dhe së dyti jetojmë në një vend ku nuk jemi të barabartë para ligjit. Janë dënuar me dënime të ndryshme, deri edhe në burg, ata që u vunë para drejtësisë, ata që shkelën kufirin që ndan kufirin e një proteste të drejtë e jo të drejtë.  

-Kur do nisë procesi i 21 janarit?  

Unë besoj se 21 janari është një nga ato plagë që nuk mbyllen kurrë pa drejtësi. Drejtësia për atë lloj plage mund të vonojë, por nuk do harrohet!  

 -Është mbyllur çështja? 

  Nuk besoj se 21 është mbyllur. Unë besoj se 21 Janari nuk do të mbyllet pa drejtësi. 

  -A jeni përgjuar nga SHISH?   

 Nuk dua të bëj koment për këtë çështje. Nuk kam koment për këtë çështje.   

 -Nëse komisioni konkludon se jeni përgjuar, a do t’i kërkoni Nishanit shkarkimin e Visho Likës? 

  Nuk kam koment për këtë çështje. Është çështje sensitive.   

-Flasim për zgjedhjen e Guvernatorit të ri. Ju këmbëngulët për një bankier të huaj, madje u fol dhe për emrin e ish-guvernatorit të Argjentinës?

  Unë nuk kam bërë një këmbëngulje të tillë të madhe. Unë këmbëngul në një pikë, ajo që ndodhi në BSH, nuk vlen për të çuar deri në fund një proces gjykimi, por për të vlerësuar kapacitetet, nevojat, sfidat dhe një kompleks gjerash për të vendosur jo vetëm kush do jetë guvernatori apo anëtarët e Këshillit, por si do të organizohet. Ne kishim nisur diskutimet për të prekur ligjin e BSH. Tani është më e nevojshme. Kur kam takuar anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës nuk kam parë asnjë që të ketë punuar në një Bankë Qendrore. Kjo është një e dhënë shqetësuese, sistemi financiar është një botë më vete, sistemi bankar është një botë më vete. Unë besoj se nuk është e lehtë që e kemi një guvernator mes nesh e ta marrim ta vëmë në krye, pas kësaj goditje që ka ndodhur. Është një institucion në një rrjet të tërë e ndaj ka rëndësi besimi tek BSH. Për mua s’ka asnjë problem, guvernator i huaj apo dhe një shqiptar që kur të vendoset jep një garanci financiare.  

 -Presidenti tha se guvernatorin e zgjedh unë. Jeni në dialog?   Kemi një dialog me presidentin. E mirëkuptoj përgjigjen e presidentit, nuk ka qenë e prerë me sëpatë. Në këtë proces jemi në bashkëpunim dhe shpresoj të dali një produkt që do t’i bëjë nder vendit tonë. Koha nuk pret dhe është çështje që do zgjidhet shpejt. Një grup i posaçëm kemi ngritur për të zgjedhur 8 nga 151 aplikime. Ky grup do të jap dhe një opinion përfundimtar.  

 -Vjedhja është më e madhe se ajo e deklaruar?   Nuk disponoj të dhëna hetimore më shumë se ju.   

-Opozita ka bojkotuar Parlamentin. Një nga kushtet është zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, do t’i plotësoni?  

Kemi një opozitë që është vetë tendosur për të kapërcyer një situatë, njësoj si të nesërmen e goditjes dramatike të 23 Qershorit. Sillet si një qeveri në mërgim. Ne nuk jemi si ata dje që shanin opozitën. Kur është e nevojshme japim deklarata për publikun, jo për opozitë. S’ka marrëdhënie të tendosura mes qeverisë dhe opozitës.  

 -S'ka marrëdhënie të tendosura, ndërsa debatuat me deputetin Ristani dhe në dialogun e nivelit të lartë me BE-në….  

 Ju nuk ishit në sallë. Dhe në sallë nuk ishte askush nga ata që rendën ta japin lajmin. Sa i përket deputetit në fjalë, gjendja e tij e dehur në ushtrimin e detyrës e bën të pabesueshëm. Nuk e di a është esëll zotëria, dhe nëse është ai është i dehur nga natyra. Unë s’kam thënë asnjë gjysmë fjalë dhe nuk shpenzoj asnjë fjalë në drejtim të atij personazhi. Që të mos thoni se iu shmanga pyetjes, ka pasur një këmbëngulje në lidhje me Komisionin Hetimor, që pavarësisht kësaj, të votojmë një Komision Hetimor që duan. Ne kërkuam zgjerimin e objektit të hetimit, por kemi biseduar që t’ia lëmë pa diskutim fare. Unë s’kam problem ta ngrenë dhe për mua.  

-Zgjedhjet lokale po afrojnë. Kandidati për Tiranën do jetë nga LSI apo PS?  

 Zgjedhjet janë vitin e ardhshëm e s’kemi nge për këto gjëra. S’kemi nevojë të marrim shumë kohë, ne funksionojmë si aleancë, hyjmë në zgjedhje si aleancë dhe do të bëjmë një fitore më të madhe se ajo e 23 qershorit.

  -Do të rritet çmimi i energjisë?  

Diskutimi për çmimin është një diskutim që mund të bëhet vetëm kur qeveria dhe falë punës intensive të menaxhimit të ndërmarrjes së shpërndarjes të paguajnë të gjithë. Do të shkojmë drejt liberalizmit të tregut. Ne do të jemi mburojë e konsumatorëve familjarë. Unë kam këmbëngulur, për një reformë tërësore dhe rrënjësore për një model të ri të sistemit. Kemi një pamje të qartë të sektorit të energjisë, qeveria shqiptare do administrojë sistemin me vizion afatgjatë dhe strategji të qartë dhe të shtrirë në vite.  

-Berisha thotë se premtuat ulje të çmimit përmes uljes së TVSh, ndërkohë që do rrisni energjinë me 20%. Çfarë përgjigje i jepni?

  S’kam përgjigje për të dhënë. I bie t’i përgjigjesh të gjithë fansave të FB. S’e kam as fans në FB. Sa ish-kryeministra ka, nuk mund të përgjigjesh.  

 -Situata ekonomike nuk duket ajo që u fol, nëse kemi parasysh shifrat e publikuara sot nga INSTAT. Si është kjo?  

Nuk është kjo e vërteta. Ka një metodikë krahasuese me 3-mujorë. Është krahasuar tremujori i dytë i këtij viti, me tremujorin e dytë të vitit zgjedhor, ku u bë edhe bumi i madh i investimeve dhe ku u hap dhe gropa e madhe për Shqipërinë. Nëse krahasojmë tremujorin e dytë të këtij viti me atë tremujor të 2013, kjo situatë quhet e tillë, pasi i shkriu të gjitha ç’kishte për të mbushur me asfalt. Ndërsa nga tremujori i parë i këtij viti te i dyti e te i treti, do të shkojmë atje ku kemi parashikuar, një rritje mbi 2 %. Kemi për herë të parë rritje të qëndrueshme ekonomike, pas krizës, dhe gropës së madhe të borxheve të krijuara nga qeveria e mëparshme. Kemi rritje në ato pika ku ne jemi fokusuar për të rimëkëmbur modelin e zhvillimit. Kemi rritje në bujqësi, në manifakturë. Kemi mbi 11 % rritje të punësimit në sektorin privat. Nuk jemi në kushtet të ulemi e të sodisim bahçen e rilindjes, por në kushtet për të vendosur themelet e zhvillimit. Ka rritje të të ardhurave. Kjo na bëri të rishikojmë buxhetin pozitivisht. Kemi futur para në shëndetësi, 11 milionë dollarë për autoambulancën. Kemi financuar policinë me rreth 3.5 milionë dollarë për mjete. Kemi investuar për të filluar procesin e kalimit nga librat tek tabletat dixhitale dhe për të mbyllur hendekun e madh mes fëmijëve të varfër dhe fëmijëve të familjeve me të ardhura të mjaftueshme për të përballuar arsimimin. Kemi financuar mbylljen e 51 projekteve të rrugëve dhe financimin e fillimit të 100 punimeve të rrugëve. Të gjitha këto para erdhën nga të ardhurat në buxhetin e shtetit. Pretendojmë të shkojmë deri në 350 milionë dollarë pagesa borxhesh për sektorin privat, deri tani janë paguar 260 milionë dollarë. Ka ende për të paguar. Kemi marrë përsipër ta paguajmë për tre vite, por në duam ta mbyllim për dy vjet.  

 -Premtuat legalizime falas dhe përfundim të këtij procesi brenda katër vitesh. Duket se asnjë nga këto dy elemente të këtij premtimi s’po mbahet …  

Në 8 vite ata që ishin bënë në total 21 700 legalizime. Brenda vitit të parë të qeverisjes ne kemi bërë 10700, dhe do vijojmë për t’i bërë 25 mijë brenda vitit të parë operacional. Legalizimet janë falas. Legalizimet janë procedurë. Ky proces nuk është lënë zvarrë më, siç është lënë për vite të tëra. Nuk është më qytetari që shkon te ALUIZNI, por ALUIZNI shkon tek qytetari.  

 -Në “Twitter” gjatë ditëve të fundit po postoni foto të ndryshme. Një obelisk brenda një lokali, apo një lokal ngjitur me një shtyllë të tensionit të lartë. Basha thotë se kanë qenë si ndërtime edhe kur ju keni qenë në bashki.  

Këtu e tre vjet më parë kush është në bashki. Po nuk ka faj se as për këto vite nuk ka qenë në bashki. Por ka edhe një mitmarrje masive nga ana e inspektoriatit të bashkisë për të lejuar këto zgjerime. Është koha që trotuaret t’i kthehen qytetarëve, edhe hapësirave të lagjeve. Unë i kërkoj shumë ndjesë qytetarëve se kujtojnë se janë ndërhyrje selektive. Por nuk është kështu. Ato objekte janë të hipotekuara ilegalisht dhe nuk mund të shemben pa një vendim gjykate. Por ne këto çështje i kemi referuar në prokurori këto raste. 

/marrë nga Sot News/