21 nëntor 2015 – Pas akuzave nepotike për emërime në administratë, të artikuluara edhe nga përfaqësues të mazhorancës, kryeministri Edi Rama foli për herë të parë me tone të ashpra rreth temës së nxehtë të punësimeve, që e cilësoi si favorizim të padrejtë brenda familjes.
Në fjalën e mbajtur përpara socialistëve fierakë, në kuadër të turit “Ta pastrojmë më tej Shqipërinë”, shefi i qeverisë ka kërkuar që PS të punojë për qytetarët dhe jo për interesat vetjake.
“Për të siguruar që përfaqësuesit e PS-së në qeveri, në parlament, në këshillat bashkiakë, kudo ku janë, të përfaqësojnë PS-në dhe jo interesat e tyre, të përfaqësojnë familjen e madhe të socialistëve dhe progresistëve dhe jo familjen e tyre, të përfaqësojnë të gjithë ata që i kanë zgjedhur, jo kushërinjtë e tyre. E di që ka akoma nga ata që vazhdojnë, xhaxha prandaj të kam thirrur ty këtu, që të më ndihmosh”, tha Rama teksa shtoi se vlerat ku duhet të bazohen punësimet duhet të mbështeten tek meritokracia.
“Është e rëndësishme që PS të jetë vendi ku janë të përfaqësuar të gjithë dhe nuk mund të jetë vendi ku debati kryesor të jetë kush hyri në punë, kush s’ka hyrë në punë. Unë faktikisht jam shumë i inkurajuar nga përgjigja e shumë të rinjve, janë të gatshëm të jenë pjesë e organizatave dhe kësaj përpjekje. Shpeshherë e kanë të pamundur se u mbyllet dera.”
/portali DurresLajm/