14 qershor 2015 – “Mallkuar qofshin ata që i japin frymë politikës barbare në Shqipëri!” Kreu i qeverisë, Edi Rama, mallkoi situatën e shkaktuar sipas tij në Konispol, ku kandidati i PBDNJ-së, Anastas Guda bën thirrje se “do të shpëtoj ortodoksët e Konispolit nga çamët dhe muslimanët”. Rama, foli nga jugu ku merrte pjesë në fushatë elektorale, se kjo thirrje synon përçarjen fetare e etnike, kur harmonia mes besimeve në Shqipëri është thesar.
“Konispoli i bekuar nga Zoti nuk mund të bëhet një arenë përçarjeje fetare, etnike. Kush janë këta që predikojnë këtu historira me ortodoksëri e Çamëri? Nuk mund ta lejojmë këtë, i bëj thirrje gjithë banorëve të kësaj zone mos tradhtoni gjyshërit dhe stërgjyshërit tuaj. Nuk ka lidhje me PD, as me ASHE, as me Shuapin, ka lidhje me themelet, ka të bëjë me këtë tokë që ka gjeneruar paqe, harmoni, ku janë martuar, kanë bërë fëmijë, pa parë njëri-tjetrin se nga vijnë. Nuk mund të bëhet toka kur të hyjë kjo përçarje. T’i vijë turp dhe të mallkuar qofshin gjithë ata që i japin frymë kësaj politike barbare që në Shqipëri nuk mund të mbijë dhe t’i rritet fara kurrën e kurrës!” tha Rama.
Agjencia e lajmeve “Dyrrah”





