Nga Gjergj Thanasi

 

Durrës, 15 qershor 2014 – Kryeministri Rama me gjeste e pamje prej personazhi të Biblës u dha gazetarëve durrsakë “lajmin e mirë” të vizitës së Papa Françeskut këtë shtator në Shqipëri. Regjia socialiste kishte kuruar deri në detaj këtë aktivitet për të pasur efekt maksimal propagandistik (marrëdhëniet me publikun). Fatkeqësisht koha e keqe krejt e pazakontë për muajin qershor i prishi planet e regjisurës së PR-it kryeministror.

Në mungese të një plani B dhe për shkak të mendjelehtësisë së moskontaktimit paraprak me meteorologët në rast aktivitetesh në terren (outdoor activities), “lajmi i mirë” u dha në hollin e Muzeut Arkeologjik të Durrësit, para gazetarëve të lagur e gardistëve të qullur deri në palcë. Prezenca e përforcuar (3 kamera nga Tirana, plus kamera lokale) e Agon TV dhe frika nga pyetje të sikletshme për incidentin “Ad Krasta “ bënë që Kryeministri Rama të mos i përgjigjej asnjë pyetjeje, por thjesht të kumtonte “lajmin e mirë” (La buona favella, siç thonë italianët).

Kryeministri Rama, ndonëse në disavantazh me shumë mjeshtëri, bëri komunikimin e lajmit duke bërë lidhje midis Durrësit të tanishëm dhe Epidamnusit të lashtë, ku ka predikuar fjalën e Zotit tonë Jezu Krishtit edhe vetë Shën Pali. Kryeministri u përpoq që me PO-në qiellore të Papa Franceskut të mbulonte JO-në e pritshme evropiane, sa tokësore aq burokratike të mospranimit të dhënies së statusit Shqipërisë.

Ky njoftim sa teatralo-pompoz aq edhe agjitativo-propagandistik duhet parë në kuadrin e rivalitetit jo thjesht fetar, ortodokso-katolik. Kryeministri përdori një lumë epitetesh pozitive për të përshkruar fatin e madh të Shqipërisë, që do vizitohet nga Papa Françesku. Faktikisht në këtë vizitë nuk kemi asnjë gjë të veçantë, sepse pak javë më parë kreu i krishtërimit ortodoks, Bartolomeu i Patriarkanës së  Kostandinopojës, bashkë me një dyzinë krerësh të kishave ortodokse apo prelatë të lartë të tyre vizitoi Tiranën me rastin e inaugurimit të katedrales ortodokse të Tiranës. Nga këndvështrimi teologjik kujtojmë që sipas vendimeve të Koncilit të Nikesë, Kisha e Romës është e barabartë ndërmjet të barabartëve me Patriarkanën e Kostandinopojës, Patriarkanën e Aleksandrisë dhe atë të Antiokut (Sirisë).

Është tjetër problem që politizimi i theksuar i Janullaosit, Ekzarkut të Fortlumturisë së tij Bartolomeut të Kostandinopojës dhe çmenduria mesjetare e kreut të kishës ortodokse serbe krijuan incidente e skandale politike me ngjyra shoviniste, që nuk kishin të bënin fare me fenë ortodokse apo autoqefalinë e Kishës ortodokse shqiptare. Vetë kryeministri Rama u zu ngushtë dhe humbi pikë në sytë e patriotëve shqiptarë nga provokimet mesjetare të klerikëve shovinistë serbë apo grekë.

Gjithsesi është faji i Ramës si Kryeministër dhe këshilltarëve të tij, që paraprakisht nuk arritën të parashikojnë, që “stani ortodoks greko – serb” normalisht do të kishte “bylmet” shovinist me ngjyra të theksuara anti shqiptare.

Kryeministri Rama nga nëna e babai, brez pas brezi ortodoks shqiptar u vu në pozitë të vështirë nga këta klerikë, që poshtë rrasos e kamillaftit fshihnin një shovinizëm të tejshkuar. Le të shpresojmë, që vizita në shtator e Atit të Shenjtë, të mos shkaktojë incidente të tjera. Le të shpresojmë, që Kisha Katolike dhe kreu i saj  të jetë më e emancipuar dhe e modernizuar sesa ca prelatë ortodoksë, që dukeshin sikur i kishte sjellë në Tiranë makina e kohës drejt e nga epoka e car Dushanit apo e perandorëve Porfyrogjenë të Bizantit.

Shpallja nga ana e Kryeministrit e lajmit për vizitën e Papa Franceskut në Shqipëri, pikërisht në Durrës është brenda faktit historik të qënies së Durrësit një avanpost i katolicizmit në jug të Ballkanit. Që nga koha e shkizmës (ndarjes së Krishtërimit në ortodoksë e katolikë) Durrësi ka mbetur një avanpost i tillë. Kur në Durrës sundonte Perandori i Bizantit, Despoti i Epirit apo Car Dushani e Car Stefan Nemanja, peshkopi katolik dëbohej për në Puljen e përtej Adriatikut. Kur në Durrës sundonin Anzhuinët, Venediku apo bujarët shqiptarë si Kryezoti Karl Topia, peshkopi ortodoks zëvendësohej menjëherë nga ai katolik. Me shpalljen e vizitës së Papës në Durrës, Kryeministri me përkorje diplomatike ju përgjigj edhe Ekzarkut Janullatos dhe incidenteve të paradokoshme brenda dhe jashtë katedrales së Tiranës.

Le të shpresojmë, që Kryeministri Rama me gjithë trashëgiminë lindore të PS-së, grupit të saj parlamentar apo dhe aleatëve të LSI-së të vazhdojë orientimin pro perëndimor, orientim, që goditjen e parë e mori me meselenë e armëve kimike siriane. Në të kundërt nuk ia vlejti lagia në shi e gazetarëve për të dëgjuar një hartim të shkruar bukur e të ndjerë të Kryeministrit Rama. Më shumë se fjalimet apo zbulimi në drekë i një lajmi të shitur, që në mëngjes te një e përditshme shqiptare, kjo vizitë e Ramës do të ketë vlerë, nëse ai vërtet do të ngulë këmbë në një orientim qartazi pro perëndimor të Shqipërisë.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/