2 tetor 2013- Kryeministri Edi Rama rreth orës 19:00 ka pritur në një takim ambasadorët e akredituar në Tiranë. Takimi është zhvilluar në ambientet e kryeministrisë, duke përuruar sot edhe rikonstruksionin e sallës së konferencave, punime të realizuara vetëm brenda pak ditësh. Rama fillimisht ka bërë një kronologji të marrëdhënieve të Shqipërisë post-komuniste me jashtë, duke kujtuar edhe vitin '97, edhe kancelarin austriak Vranicki për të gjetur fijet e humbura të arsyes apo të kryeministrin italian Prodi, për t'i dhënë rrugë programit të ndihmës italiane apo Sekretaren amerikane Klinton, që përshëndeti popullin shqiptar në 100-vjetorin e pavarësisë dhe shumë udhëheqës të vendeve të mëdha e të vogla. 

Rama tha se qëllimi i qeverisë është që të marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian. Për të, Europa është destinacioni brenda Shqipërisë dhe shqiptarëve. "Në njëzet e kusur vitet e izolimit të rrugës drejt demokracisë, mjaft të kthehesh pas në filmin e shkallëve të kësaj godine për të parë të ngjitet kryeministri Blair, për t’i dhënë lirinë Kosovës apo Presidentin Bush, duke zbritur poshtë duke deklaruar pavarësinë e Kosovës", tha Rama.

"Kuadrat e film-arkivit të pasur dëshmojnë edhe një të vërtetë tjetër që na bën mirënjohës. Kjo është e vërteta që Shqipëria ka pasur jo pak vende; ambasadorë të vendeve të mëdha apo të vogla që janë përfshirë emocionalisht në zhvillimet e popullit shqiptar. Nga Rajerson tek Uidhers, SHBA kanë qenë gjithmonë mbështetëse, por edhe mbrojtës të shqiptarëve", theksoi Rama.

Sipas tij, të tërë ata që kanë lënë gjurmët e tyre, meritojnë mirënjohjen për atë që kanë bërë në Shqipëri. "Si qytetar shqiptar, që i ka përjetuar zhvillimet e njëzet viteve të fundit, si një nga 140 të zgjedhurit me votë në zgjedhjet e qershorit, që i dhanë fund vjedhjes së votave, si kryeministër jo thjesht për të ndërruar partinë në pushtet, por për të hapur një rrugë shqiptarëve, ju falenderoj që keni ardhur në këtë sallë dhe do t'ju presim gjithmonë. Pa dyshim për të gjitha orët tuaja të mira, përgjatë ditëve të këqija të njëzet viteve që kanë kaluar shumë shpejt, ju falenderoj. Ju falenderoj të gjithë juve që keni besuar edhe kur Shqipëria nuk ishte duke parë drejt rrugës së bashkimit".

"Unë e kam marrë këtë detyrë pas votimit me 1 milion vota për t'iu kthyer shqiptarëve besimin tek politika, ligji, shteti, për t'i përfaqësuar ata denjësisht para botës dhe për t'i dhënë qetësinë edhe botës ku duam të integrohemi. Duam të integrohemi në BE dhe Europa është një destinacion, ku nuk mbërrihet vetëm duke miratuar ligje, por edhe duke punuar për të arritur atë destinacion".

"Ekonomia është në një ngërç. Arka sot është bosh, u ka borxh kompanive shqiptare dhe bankat sot nuk japin kredi, kur kreditë e këqija janë rritur. Nuk na mungojnë zgjidhjet për të ndalur rrënimin, përkundrazi çdo krizë është një rrugë për të dalë më të fortë dhe unë jam i bindur se ne nuk do ta humbim këtë rast. Jemi në konsulta intensive me Guvernatorin e Shqipërisë, ekspertë të rangut ndërkombëtar dhe ato të FMN dhe BB. Do të hapim konsultime me sipërmarrjen vendase dhe do të ngremë Këshillin Ekonomik Kombëtar, që do të punojë me statistikat dhe stategjitë ekonomike për vendin. Shpejt do të nisë dhe auditi ndërkombëtar i financave të vendit, për të parë pasqyrën e vërtetë të gjendjes në cilën kemi marrë financat, që mund të jenë më keq se ç'mund të prisnim, në këtë stad të qeverisjes".