Skënder Minxhozi
7nentor 2015 – Ka shkaktuar opinione nga më të ndryshmet dalja e kryeministrit Rama në emisionin Top Story. Siç ishte e pritshme, në një stinë gri të natyrës, siç është vjeshta dhe në një moment edhe më pa ngjyrë të qeverisjes, siç është ky që po jeton qeveria aktuale, reagimet e publikut ndaj asaj që dëgjuan nga kryeministri, prireshin më shumë drejt negatives.
Edi Rama justifikoi thuajse gjithçka në Top Story. Me përjashtim të sforcimit për të gjetur ndonjë gabim në aksionin e faturave të energjisë apo në fushatën e fundit elektorale, kur u ngacmua me pyetje direkte për ta bërë një gjë të tillë. E megjithatë, një pjesë e mirë e emisionit u konsumua me koncesionet e dhëna, emrat e kompanive që i fituan ato, me makinat e blera, nderet e favoret ndaj biznesit e mediave të njohura. Rama pati një përgjigje për gjithçka, por mjerisht përgjigjet ishin të gjitha justifikuese.
As që mund të pritej të ishte ndryshe. Pasi përtej asaj që ndodhi në atë dalje publike të kryeministrit (dhe ai daljet publike i ka më të shumta se ato të një spikeri lajmesh këto kohë), Rama ka një problem që duket qartë se po maiset me kalimin e muajve, në krye të punëve të shtetit. Ai po bëhet gjithnjë e më i largët, gjithnjë e më i izoluar në kullën e tij virtuale, gjithnjë e më i paderpëtueshëm nga kritikat. Ai thotë sot se koncesionet e dhëna prej qeverisë së tij janë të gjitha të imunizuara nga çfarëdo shkelje a konflikti interesash, duke u justifikuar se bizneset me të cilat ka njohje s’kanë pse të penalizohen nga ky fakt. Pra, nga njohja që kanë me të. Një qëndrim dëshpërues ky, kur sheh se emrat që kanë dalë në koncesionet më me peshë në muajt e fundit, janë thuajse të gjithë persona që kanë njohje direkte me kryeministrin dhe enturazhin e tij.
Nga pikëpamja politike, Rama ka sot në duar një skemë pushteti që është ndër më solidet e 25 vjetëve të fundit. Nuk ka pse të shqetësohet as për kundërshtarët, as për votat e pakta në parlament. E megjithatë është mëse e dukshme se ka në duar gjithashtu një qeveri të lodhur, të demotivuar dhe që duket se e ka humbur sensin e orientimit, sa i përket prioriteteve dhe objektivave të saj fillestare. Bujqësia, turizmi, energjia, infrastruktura, ishin gurët kilometrikë të një programi qeverisës, i cili tani ecën me aksione, me fushata dhe me një sasi të frikshme retorike dhe fjalësh nga pas. Aq sa edhe punët e reformat e kryera në dy vjet (e nuk janë pak të tilla), shtypen nga pesha e llafeve dhe akuzat në rritje për amatorizem në qeverisje dhe korrupsion.
Nga ana tjetër, ajo që është më negative në këtë kontekst, ka të bëjë me shpërthimin e një numri të konsiderueshëm akuzash për korrupsion në të gjitha nivelet e qeverisjes, ndërkohë që kjo shumicë qeverisëse premtoi vetëm dy vjet më parë se do të ndryshonte kursin e korruptuar dhe të dekompozuar të drejtimit të shtetit që kishim trashëguar nga e shkuara. Rama premtoi pastërti, por sot po sheh se i duhet të kalojë një pjesë të madhe të ditës, duke hequr njollat nga kostumi i tij kryeministror.
Nëse përpiqesh të gjesh shkakun e kësaj situate, mjetet më të sigurta dhe më tradicionale janë ato të vjetrat: Ndiq paranë, thotë një shprehje. Mëse e saktë. Tundimi i korruptimit, dhënia pas parasë publike, trukimi i shifrave dhe bilanceve, është bashkudhëtari i përjetshëm i çdo qeverisjeje. Përtej alibisë formale se prezumimit të pafajësisë. Një gjë fare e kollajtë me gjykatat e korruptuara që kemi, ku shumëkush hyn i pisët e del “i virgjër”.
Por ka edhe një shkak, mes morisë së shkaqeve, ka një emërues të përbashkët, kjo situatë surreale që mbështjell sot qeverinë Rama. Dhe shkaku është vetë Edi Rama. Një lider që zgjedhjet dhe votat masive, por edhe hija e pushtetit të rritur, po e bejnë përditë e më arrogant, më pak modest dhe të dëgjueshëm, më shpërfillës dhe më të izoluar nga forca e arsyes së thjështë, nga argumentat, faktet dhe shifrat. Në Top Story pamë të njëjtin kryetar qeverie, që pak minuta më parë në Parlament, por edhe pak orë apo ditë më parë në mbledhjen, takimin apo konferencën e rradhës, na thotë se gjithçka shkon mirë, se të gjitha janë në rregull dhe se fajin e kanë vetëm opozita dhe mediat. Jeta ka mësuar se ky lloj lidershipi është i gabuar, jashtë kohe, jashtë kursi dhe i dëmshëm për shqiptarët. Por edhe për vetë lidershipin.
/javanews/