Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka uruar Presidentin turk Recep Tayyip Erdogan për suksesin në zgjedhjet e parakohshme presidenciale dhe parlamentare të së dielës.

Lajmi është bërë i ditur nga agjencia shtetërore turke e lajmeve, “Anadolu Agency” si “lajm i minutës së fundit”.

Deri më tani, nuk ka asnjë njoftim zyrtar nga kryeministria e Shqipërisë lidhur me urimin.

Pasi janë hapur mbi 80 për qind e kutive, Erdogan kryeson me 53 për qind të votave, kundrejt 30 për qind të votave që ka fituar opozitari Muharrem Ince.

Erdogan po ashtu është uruar edhe nga lideri boshnjak, Bakir Izetvegoviç, Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliev, dhe Presidenti i Autoritetit palestinez, Mahmud Abas.

Kryeministri hungarez, Viktor Orban, ishte i pari lider i vendeve të BE që uroi Erdogan për suksesin në zgjedhje megjithëse nuk është ende përfundimtare nëse Erdogan i fiton zgjedhjet që në turin e parë apo do të ketë nevojë për një balotazh me 8 korrik.