23 janar 2014 – Pas tratativave të nëndheshme për një aleancë të mundshme me PDIU, kryeministri Rama po zgjeron aleancat e tij me parti të tjera të krahut të djathtë.  Kështu, zërat për një afrim të mundshëm mes Edi Ramës dhe Bamir Topit janë konfirmuar mbrëmjen e djeshme.  Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi, kanë darkuar dje së bashku në një prej restoranteve të kryeqytetit, duke u dhënë kësisoj një sinjal të qartë të gjithë aktorëve të tjerë politikë.

Rama dhe Topi, të akuzuar që para 23 Qershorit nga Sali Berisha për një aleancë të fshehtë, janë parë mbrëmë së bashku. Kryeministri Rama është shoqëruar nga zv/kryeministri Niko Peleshi, ndërsa kreu i FRD, nga ana tjetër, është shoqëruar nga nënkryetari i FRD, Daut Gumeni dhe ish-deputeti demokrat, Sali Shehu. Ende nuk dihen detaje rreth këtij takimi, ndërsa në rrethet politike dhe mediatike po përflitet fort për një bashkëpunim të mundshëm mes FRD që kryesohet nga Topi dhe qeverisë.

Një gjë duket se është e sigurtë, se darka e mbrëmshme është produkt dhe finalizim i negociatave dhe i tratativave të mëparshme mes Ramës dhe Topit. Ndërkaq, Partia Socialiste, disa javë më parë, emëroi një nga zyrtarët e FRD, Bedri Blloshmi, në krye të Institutit të Integrimit të të Përndjekurve Politikë, duke dhënë një sinjal afrimi me Bamir Topin. Po ky vendim asokohe dukej se ishte vetëm hapi i parë i forcimit të aleancës PS-FRD, pasi darka e tyre, i përforcoi edhe më tej dyshimet. Por, nuk mjafton vetëm kaq, pasi dy ditë më parë, kreu i FRD, Bamir Topi, ka mbajtur një qëndrim të ashpër ndaj ish- kryeministrit Sali Berisha për çështjen e 21 Janarit, ku theksoi se drejtësia ka ende shumë punë në këtë drejtim.

/ sot news /