Kryetari i komanduar i PD Durrës, Luan Hoti, ka reaguar ndaj akuzave të ngritura në adresë të tij nga lideri historik Sali Berisha.
Me një postim në rrjete sociale, Hoti hedh poshte akuzat dhe shpifjet e bëra nga Berisha, pasi sipas tij, ai njihet për integritet nga të gjitha durrsakët.
“Sali Berisha nuk më bën dot pis me akuzat e tij të ulëta. Familja ime njihet për integritetin e saj nga të gjithë durrsakët. Familja e Sali Berishës njihet për korrupsion nga të gjithë shqiptarët. Për këtë korrupsion Sali Berisha dhe familja e tij është shpallur non grata nga Shtetet e Bashkuara te Amerikës. Gjithçka thotë dhe bën tani ka lidhje vetëm me këtë përcaktim të SHBA dhe nga masat e tjera që janë paralajmëruar se do të merren dhe nga të cilat ai ka frikë si djalli mga temjani.”,– shkruan Hoti.
Sipas tij, ka marrë fund koha kur Partia Demokratike në Durrës i shërbente interesave korruptivë të Sali Berishës.
“Sali Berisha le të vazhdojë me shpifjet e tij! Ne do të vazhdojmë të nxjerrim PD nga gremina, ku ai po kërkon ta zhysë bashkë me një grup ndjekësish, që nuk duan demokratët e Durrësit, por duan vetëm karrierën e tyre personale.”,– shkruan Hoti.
Reagimi i kreut të komanduar të PD Durrës erdhi pas akuzave të ngritura nga Berisha në një emision televiziv ku u shpreh se Luan Hoti është zgjedhur nga Edi Rama për të fituar tenderin e rimorkiove në portin e Durrësit.
“U komandua njeriu që ka tenderin e rimorkiove të Portit, një tender i madh, s’kam asgjë me Luanin që ka tenderin. Por kam diçka shumë më tepër sepse me atë tender kanë marrë pjesë kompani më të mëdha të botës dhe Edi Rama zgjodhi Luanin. Durrësi është shdërruar në aferën miliardëshe. Aferë që dokumentet faktojnë se është i zhyer edhe Lulzim Basha. Njëherë na tha që menaxheri i kompanisë së arabit kishte përfaqësues në Shqipëri menaxherin e kompanisë së Lulzim Bashës. Ai deklaroi se dhashë dorëheqjen. Kemi të bëjmë në Durrës në një përzierje të neveritshme aksionesh. A mundet që PD të ngelet peng i këtyre?“, tha Berisha pak ditë më parë.
Postimi i plotë i Luan Hotit:
Sali Berisha le të vazhdojë me shpifjet e tij! Ne do të vazhdojmë të nxjerrim PD nga gremina, ku ai po kërkon ta zhysë bashkë me një grup ndjekësish, që nuk duan demokratët e Durrësit, por duan vetëm karrierën e tyre personale.
Ka marrë fund koha, kur PD në Durrës i shërbente nteresave korruptive politike të Sali Berishës apo ndonjë ndjekësi të tij nga halli. Qëllimi ynë është të bejmë një PD më të madhe, që shërben demokratëve dhe shqiptarëve, të cilët duan PD në krye të qeverisë!
Luan Hoti