30 shtator 2015 – Festivali i 10-të ndërkombëtar i Dancit modern dhe kontemporan, i njohur si “Dance Meeting” ka startuar mbrëmjen e kaluar me premierën e shfaqjes “Duke menduar Medean”.
Shfaqja që vjen si një projekt teatral mes Shqipërisë dhe Zvicrës është përgatitur nga koreografët Gjergj Prevazi dhe Beatrice Fleischlin.
Artistët protagonistë Labinot Rexhepi dhe Beatrice Fleischlin u duartrokitën gjatë nga artdashësit që mbushën sallën e Teatrit Kombëtar në Tiranë. Shfaqja bazohet në tragjedinë e Euripidit dhe në një libër studim të Krista Wolf për Medean. Sipas autorëve, “Duke kërkuar Medean” ekspozon dy këndvështrime europiane për raportin mes burrit dhe gruas.
Artistët shqiptarë dhe zviceranë do të japin edhe sot premierën e tyre në Teatrin Kombëtar, ndërsa të premten në Durrës, ajo do të shërbejë si fillesë zyrtare për Edicionin e 10-të të Festivalit të Dancit modern. Mësohet se “Duke menduar Medean”do të udhëtojë edhe drejt Bazelit, Araut dhe Lucernës (Zvicër).
(Foto: Tristan Sherifi)
/portali DurresLajm/