25shtator 2015 – Edicioni i 10-të i Festivalit ndërkombëtar të dancit modern dhe kontemporan do të zhvillohet në kryesisht Durrës në periudhën 29 shtator – 4 dhjetor të këtij viti.

Drejtuesit e Festivalit kanë bërë të ditur sot programin e zhvillimit të tij, duke theksuar se përveç qytetit bregdetar në kalendar përfshihet edhe Tirana.

Drejtori artistik i Festivalit, Gjergj Prevazi, tha se gjatë ditëve të veprimtarisë do të organizohen 12 shfaqje nga trupa të ndryshme artistike, që vijnë nga Zvicra, Portugalia, Italia, Austria, Kosova dhe Shqipëria. Edicioni jubilar i këtij Festivali do të hapet në teatrin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit më 2 tetor me premierën “Duke menduar për Medean”, por shfaqjet e para do të jepen më herët, në fund të këtij muaji në Teatrin Kombëtar në kryeqytet.

Më 4 dhjetor në përfundim të Festivalit do të jepet shfaqja “Hënë e plotë”, nga trupa e Kompanisë “Albanian Dance Theatre”, nën drejtimin e koreografit Jacek Przbylowicz.

Përveç dy teatrove të njohur në Durrës dhe Tiranë, shfaqjet janë parashikuar të jepen edhe në Universitetin e Arteve, Galerinë Kombëtare të Arteve dhe në Teatrin e Metropolit në kryeqytet.

/portali DurresLajm/