Edicioni i 15-të i Panairit të Librit Tirana 2012 qëndroi i hapur nga data 14 deri në 18 nëntor. Për pesë ditë me radhë më shumë se 100 shtëpi botuese nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi ekspozuan botimet e tyre për lexuesin shqiptar. Në ceremoninë e çeljes së kësaj ekspozeje, e cilësuar si festa e përvitshme e librit përshëndetën kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Petrit Ymeri, drejtori i Bibliotekës Kombëtare Aurel Plasari dhe Abdullah Zeneli botues i shtëpisë “Buzuku” në Kosovë. 

“Bashkia e Tiranës përfundon së shpejti planin urbanistik në të cilin, ndër të tjera, ka edhe dy piketa kryesore që kanë lidhje të drejtëpërdrejtë me librin”,- tha kryetari i bashkisë, Lulzim Basha.

“Së pari aty është parashikuar ndërtimi i një bibioteke të re, e cila do të lehtësojë presionin që ndien Biblioteka Kombëtare dhe që do t’i japë akses lexuesit të lidhë kontakte të drejtëpërdrejta me librin. Në bulevardin e ri që do të ndërtohet së shpejti do të nisë edhe ndërtimi i kësaj vepre. Së dyti, unë besoj se të gjithë duhet t’i japim rëndësinë e duhur tregut të lirë të librit. Në planin e ri urbanistik kemi vendosur piketa për ta mbështetur këtë treg. Ata që duan të hapin librari të reja, botues ose jo, do të jenë të lirë nga çdo taksë lokale për shitjen e librit”. Basha hodhi idenë për të mbështetur edhe organizimin e një panairi ndërkombëtar në Tiranë.

Ndërsa kreytari i shoqatës së Botuesve tha se ky panair është i veçantë për disa arsye, pasi është viti i festimit të 100 vjetëve pavarësi, viti i njëzet për shoqatën e botuesve, organizatore e panairit dhe i pesëmbëdhjeti vit radhazi për Panairin e Librit. “Ditët e panairit të librit janë pa dyshim një rast feste dhe gëzimi për të gjithë njerëzit që e duan librin”, tha ai. Në të njëjtën kohë ai bëri një përmbledhje të shkurtër edhe të historisë së Shoqatës së Botuesve Shqiptare, e cila këtë vit mbush 20 vjet.

“Kam kënaqësinë të përmend emrat e themeluesve të saj duke filluar me kryetarin tonë të parë e mikun tonë zotin Ramazan Hysa, zonjat Donika Omari e Zana Harxhi, zotërinjtë Riza Ibrahimi e Petrit Ymeri, Rexhep Hida e Alfred Sejdia, Petraq Risto, Shefki Karadaku e Ibrahim Hoxha, Cezar Kurti e Hysen Canko. Kanë kaluar 20 vjet nga maji i 1992 dhe shohim me krenari rrugën vërtet të vështirë që kemi bërë por edhe rezultatet e mahnitshme që kemi arritur. Mund të themi me siguri që sot libri shqip radhitet në të njëjtin nivel përfaqësimi e cilësie me editoritë europiane e botërore”,- tha Ymeri.

Si një ndër arritjet kryesore të kësaj shoqate dhe anëtarëve të saj, Ymeri përmendi respektimin e së të drejtës së autorit, por edhe faktin se tanimë ekziston Ligji për Librin apo Ligji për të Drejtat e Autorit. Gjatë ditëve që qëndroi i hapur panairi u vizitua nga personalitetet më të larta të vendit dhe përfaqësuesit e diplomacive të huaja si dhe nga mijëra miq të librit.

Përveç prezantimit të librave në stendat përkatëse të shtëpive botuese dhe sallat e konferencave u zhvilluan më shumë se 60 promovime autorësh e librash të rinj. Në serinë e aktiviteteve nuk mungoi edhe diskutimi i temave profesionale. Ndër 60 mijë botimet e paraqitura bënin pjesë rreth 1500 libra të rinj, të hedhur në treg gjatë këtij viti, botime për më të vegjlit si dhe mjaft libra historikë dedikuar 100-vjetorit të Pavarësisë.

Lexuesit përveç tjerash patën mundësi të takojnë pranë stendave të shtëpive botuese autorë të ndryshëm të letërsisë shqipe. Para hapjes së panairit botuesit u ankuan  për çmimet e larta me të cilat kanë paguar stendat si dhe mungesën e transparencës nga ana e organizatorëve. Edhe këtë vit, botuesit kanë qenë të detyruar të paguajnë një çmim prej 70 euro për m2, e siç nuk ka ndodhur më parë, kjo pagesë është bërë që prej muajit mars-prill 2012.

Shoqata e Botuesve Shqiptarë në ftesën që u ka dërguar shtëpive botuese, thekson se çmimet janë ato të një viti më parë. Në vitin 2011 çmimi për një metër katror stendë u bë nga 70 mijë lekë për m2, në 70 euro.