Armisa Legisi, Rejan Krasnaj dhe Aria Baballëku janë fituesit e edicionit të 36-të të Festivalit për fëmijë “Tingujt e Adriatikut” i organizuar nga Qendra Kulturore e Fëmijëve Durrës.  

Me këngën “Zemra nis t’më këndojë” të kompozuar nga Erion Sheqeri, vogëlushja Legisi fitoi Kupën e Festivalit, si dhe shumë çmime të tjera.

Mes duartrokitjeve të publikut në sallë, dy fituesit e çmimit të parë në kategoritë 6-9 vjeç dhe 10-14 vjeç, Rejan Krasnaj dhe Aria Baballëku, u kurorëzuan si zërat më të mirë për këtë vit në bashkinë Durrës. Por këta dy talente nuk ishin të vetmit që u nderuan me çmime nga juria e festivalit e përbërë nga emra të njohur në fushën e artit dhe kulturës.

Në festivalin për fëmijë, që ka krijuar një traditë të bukur shumëvjeçare, konkuruan 26 këngë, nga të cilat 15 u kualifikuan për natën finale.

Për risitë e festivalit të këtij viti na tregojnë më shumë drejtori i QKF-së Avni Çuni dhe instruktorja e solistëve Olta Juba.

“Risia e këtij festivali është që ka më shumë fëmijë të moshave 6-9 vjeç. Ketë vit kemi të fftuar nga disa shtete me të cilët kemi bashkëpunim ndër vite si Maqedonia, Bullgaria, Kosova, Mali i Zi etj”,– tha Çuni.

“Ajo që është e veçantë në këtë festival është që mbështetet 100% në këngëtarë të vegjël durrsakë. Janë fëmijë që kanë dalë nga konkurset e zhvilluara përgjatë një viti shkollor, pjesëmarrës në konkursin e “Zërave të rinj”, fitues dhe finalistë të këtij konkursi dhe çmimi që ata marrin si finalistë është kënga që u jepet në festival”,- tha Juba.

Pjesëmarrës dhe fitues në disa prej edicioneve të kaluara, kompozitori i njohur Ylli Ramzoti tha se niveli artistik këtë edicion është mjaft i mirë.

“Në këtë nivel të lartë ka ndikuar shumë edhe mënyra e përzgjedhjes së këngëtarëve me anë të konkursit të “Zërave të rinj”, që po aplikohet vitet e fundit”.

Festivali “Tingujt e Adriatikut” u përshëndet nga disa këngëtarë të vegjël prej disa vendeve të rajonit si dhe përfaqësuesja e Shqipërisë në Eurovision Junior, Viola Gjyzeli, së cilës ju akordua edhe një titull i veçantë duke u vlerësua me “Nderi i Qendrës Kulturore të Fëmijëve Durrës”.

Me çmim u vlerësua edhe kori i festivalit i shkollës “Jan Kukuzeli” nën drejtimin e dirigjentit Ermal Laho.

M.B.