Pas më shumë se një vit ndërprerjeje për shkak të pandemisë, edicioni i XI i Festivalit Folklorik Ballkanik u rikthye në qytetin e Durrësit.
Me larminë e kostumeve popullore, veçantinë e valleve dhe këngëve të trevave të tyre, 8 grupe folklorike nga Ballkani, por edhe më gjerë sollën në qendër të Durrësit, në sheshin “Liria”, një mbrëmje ndryshe për qytetarët, por edhe turistët që kanë nisur të frekuentojnë qytetin antik.
Grupe folklorike nga Shqipëria, Bosnje Hercegovina, Mali i Zi, Rumania, Bullgaria, Polonia dhe Ukraina performuan për më shumë se 2 orë repertorin e tyre popullor duke ngjallur kureshje tek shumë nga ata që e ndoqën live këtë event.
Ulja e numrit të infektimeve dhe vdekjeve nga Covid-19 si dhe hapja e kufijve po mundëson rikthimin dhe gjallërimin e jetës artistike në qytetin e Durrësit, i goditur fort në harkun kohor të dy viteve nga tërmeti dhe pandemia.
Edicioni i XI I këtij festivali ndërkombëtar, i realizuar falë mbështetjes së Qendrës Kulturore Durrës ka gjetur pasqyrim edhe në rrjetin social të organizatorëve të tij, World Festival Association.