Shkolla jo publike “Mihal Ekonomi” triumfon në edicionin e XI të festivalit të Këngëve Korale duke rrëmbyer kupën e këtij eventi kulturor.

Mes 11 shkollave pjesëmarrëse në finalen e sotme, koristët e shkollës “Mihal Ekonomi” u vlerësuan maksimalisht nga juria e festivalit për interpretimin mjaft të arrirë të këngës për Emin Durakun. Ndërsa çmimi i parë i festivalit shkoi për shkollën “Bedrie Bebeziqi”.

Ashtu siç është kthyer tashmë në traditë të përvitshme, Qendra Kulturore e Fëmijëve Durrës organizoi këtë aktivitet masiv në prag të festave të nëntorit.

Këngët dedikuar dashurisë për atdheun, pavarësisë dhe çlirimit të vendit, por edhe figurave më të ngritura të historisë sonë kombëtare angazhuan në këtë event mbi 600 nxënës nga 18 shkolla të qytetit bregdetar, bëri të ditur për “DurrësLajm”, përgjegjësi për sektorin e artit pranë QKF, Arian Plaku.

Prej vitesh tashmë, ky festival është kthyer në një festë të madhe të nxënësve të shkollave 9-vjeçare të qytetit, të cilët me interpretimet mjaft të arrira në skenë dëshmojnë përkushtimin dhe seriozitetin e tyre për të dhënë më të mirën dhe për të përfaqësuar denjësisht shkollat respektive.

Të gjitha çmimet e Festivalit të Këngëve Korale:

Paraqitja më e mirë skenike:
“Neim Babameto”
“Shaqe Mazreku”

Çmimi i publikut:
“Vasil Ziu”
“Shkolla e Re”

Çmimet e treta:
“Eneida”
“Jusuf Puka”
“Vinçenc Prendushi”

Çmimet e dyta:
“Migjeni”
“Kushtrimi i Lirisë”

Çmimi i parë:
“Bedrie Bebeziqi”

Kupa e festivalit

“Mihal Ekonomi”