Salla “Black Box” e shkollës artistike “Jan Kukuzeli” është mbuluar sot me ngjyrat kuq e zi.

Në kuadër të 14 nëntorit, ditës së çlirimit të Durrësit nga pushtuesit nazifashistë, Qendra Kulturore e Fëmijëve ka shpallur shkollat fituese të edicionit të VIII të Festivalit të Këngëve Korale.

Në këtë aktivitet kulturor që nisi javën e kaluar për t’u përmbyllur sot, morën pjesë në fazën e parë 540 fëmijë, nga të cilët 390 shkuan në finale.

Siç mund ta shihni në video, atmosfera ishte elektrizuese me të gjithë nxënësit pjesëmarrës që këndonin së bashku këngët më të njohura patriotike.

Kupën e këtij festivali e fitoi shkolla 9-vjeçare “Kushtrimi i Lirisë”, ndërsa shkolla jo publike “Mihal Ekonomi” u vlerësua me çmimin e vendit të parë. Ndërkohë vendi i dytë u nda mes shkollave “Ibrahim Kodra” dhe “Migjeni”.