Të rinjtë, forca e vërtetë e Teutës

I riu Edison Qesja, i është bashkuar ekipit të parë këtë sezon dhe premton shumë për të ardhmen

Prej disa vitesh skuadra e Teutës është përpjekur që të ndjekë një strategji, që konsiston në afrimin dhe vëmendjen e veçantë që i kushtohet brezit të ri, strategji që deri tani ka rezultuar pozitive. Janë pikërisht lojtarët e rinj, të cilët prej disa vitesh luajnë në radhët e kësaj skuadre dhe mbajnë një peshë të madhe në shpinë, ata që sot po gëzojnë frytet e një investimi disa vjeçar. Ky projekt u vu në zbatim në kohën, kur durrsakët i drejtonte trajneri, Edmond Zalla, i cili përpara se të merrte drejtimin e Teutës ishte trajner i të rinjve. Që vitin e parë që Zalla mori drejtimin e skuadrës së Teutës ai afroi pranë ekipit rreth 11 lojtarë që më parë i stërviste tek skuadra e tij e të rinjve. Kjo më pas u bë traditë dhe çdo vit në radhët e skuadrës afrohen futbollistë të rinj dhe shumë të talentuar që më pas me kalimin e kohës dhe duke fituar eksperiencën e dukur janë bërë lojtarë lider në skuadrat në të cilat ata luajnë. Të gjithë lojtarët e rinj që i janë bashkuar vitet e fundit skuadrës së Teutës kanë rezultuar se janë bërë lojtarët më të mirë të klubeve të tyre, ku ata luajnë aktualisht. Këtë vit skuadrës së Teutës i është bashkuar edhe 19-vjeçari, Edison Qesja, i cili një vit më parë ka qenë pjesë e skuadrës së të rinjve të Teutës. Edhe pse këtë vit ai nuk ka luajtur asnjë minutë, kjo për shkak se në ekip kanë ardhur disa lojtarë me eksperiencë dhe kjo ja ka kushtëzuar 19-vjeçarit vëmendjen e trajnerit Lika, ai është cilësuar si një ndër lojtarët më me perspektivë. Edhe pse ka një moshë relativisht më të vogël se lojtarët e tjerë të skuadrës, Qesja është i barabartë me ta gjatë orarit të stërvitjes. Roli i Qeses në fushë është ai i mesfushorit të majtë, ndërsa është një lojtar që i përdor mirë të dyja këmbët. 19-vjeçari është me origjinë nga Kruja, por kur bëhet fjalë për futboll ai është lojtar dhe tifoz i ekipit të Teutës. Përpara se të niste takimi mes dy skuadrave asaj të Teutës dhe  Kastriotit, teksa po drejtohej për ty ulur dhe ndjekur ndeshjen, Qesja tha se,- “po të isha në fushë do t’i shënoja gol skuadrës së qytetit tim të origjinës. Nuk e di se si do ta realizoja, por do t’u shënoja gol krutanëve”. Edhe pse dëshira është e madhe për të luajtur futboll, Qesja vë në plan të parë skuadrën pastaj veten e tij.

Edi, ju këtë vit janë bërë pjesë e skuadrës së Teutës a u përshtate kollaj me ambientin?

Po përpara se të bëhesha pjesë e skuadrës së të rriturve unë aktivizohesha tek ekipi i të rinjve të Teutës. Nuk isha unë i vetmi që u thërrita për t’iu bashkuar ekipit të Teutës, por së bashku me mua erdhën disa lojtarë të tjerë nga të rinjtë, por nuk qëndruan të gjithë. Gjatë fazës përgatitore, e cila për ne të rinjtë ishte edhe faza e provës, pasi disa prej nesh do të seleksionoheshin dhe do të largoheshin nga skuadra, për fatin tim të mirë dhe falë talentit dhe punës time ia arrita që të bindja drejtuesit e Teutës që të më bënin pjesë të skuadrës dhe tani vazhdoj të punoj. Në çdo moment që trajneri do të më besojë dhe do të më fusë në fushë, unë jam i gatshëm që ta justifikoj me lojën time besimin e tij.

Ju me origjinë jeni nga Kruja, sot që skuadra jote luan përballë skuadrës krutane me kë jeni tifoz?

Është e vërtetë që unë me origjinë jam nga qyteti i Krujës, por nëse flasim për futboll unë jam një durrsak i thekur. Nëse do të më jepej mundësia që të luaja kundër Krujës kam një parandjenjë që do të shënoja gol. Por nuk është kjo e rëndësishme, e rëndësishme është që të fitojë skuadra ime që në këtë rast është Teuta. Edhe pse dëshira ime është shumë e madhe për të luajtur futboll, pasi është edhe pasioni im, do të isha më i kënaqur nëse planet e ekipit ecin mirë. Unë nuk mërzitem, pasi do të kem mundësi për të treguar vlerat e mia.

Si e nisët karrierën tuaj futbollistike, ishte dëshira juaj apo të shtyu ndonjë person tjetër?

Sigurisht që ishte dëshira ime, por nëse unë kam arritur deri këtu është edhe ndihma e familjes time. Futbollin e kam nisur që në moshë fare të vogël dhe vit pas viti më shtohej akoma edhe më shumë dëshira për të luajtur futboll. Pasi kaluan disa vite tek ekipe të ndryshme të moshave përfundova tek ekipi i të rinjve dhe më pas tek skuadra e Teutës.

Si e komentoni që deri më tani nuk jeni aktivizuar me ekipin edhe pse ke një kohë të gjatë këtu?

Të gjithë lojtarët janë të gatshëm për të luajtur por jo të gjithë luajnë. Në fushë dalin vetëm 11 futbollistë, ndërsa në ekip jemi rreth 30. Pra nuk mund të aktivizohen të gjithë. Aktivizohen lojtarët të cilët janë në formë më të mirë. Jo se unë nuk jam në formë apo i gatshëm për të luajtur, por kjo nuk është në dorën time, pasi i takon trajnerit për të vendosur se cilët lojtarë do të luajnë. Siç e thashë edhe më lart nuk është se më bezdis shumë fakti që nuk po aktivizohem, kur trajneri ta shikojë të arsyeshme për të më futur në fushë unë do të jem i gatshëm. Por siç e thashë edhe më lart e rëndësishme për mua, si dhe për çdo lojtar tjetër, është të jesh pjesë e skuadrës së Teutës dhe të marrim titullin kampion.