Të gjithë e njohim Edith Durham (1863-1944), antropologen angleze, që i kushtoi jetën e saj Ballkanit e veçanërisht Shqipërisë. Durham, gruaja e parë që eksploroi malet e Shqipërisë veriore në vitin 1908, u bë një promovuese këmbëngulëse e çështjes kombëtare shqiptare gjatë dy Luftrave Ballkanike të 1912-1913 dhe Luftës së Parë Botërore. Mes shtatë librave që ajo shkroi mbi çështjet ballkanike, “High Albania” (1909) është padyshim kryevepra e saj antropologjike dhe letrare. Ky vëllim konsiderohet guida kryesore për traditat, zakonet, strukturën sociale, të drejtën zakonore dhe besimet fetare në Shqipërinë veriore në prag të shpalljes së pavarësisë kombëtare. Veç kësaj, në faqet e “High Albania” shfaqet kultura befasuese e autores, një enciklopedi e gjallë në fushat e antrolopogjisë, botanikës, historisë së artit dhe letërsisë. Bijë e një kirurgu të famshëm në Londër, Edith Durham ishte shumë e përgatitur në fushën e mjekësisë dhe i kushtoi disa faqe të kryeveprës së saj gjendjes mjekësore dhe shëndetësore të fiseve që jetonin në malet shqiptare, të cilat po i përcjellim më poshtë.
Gjendja mjekësore dhe epidemitë
Denoncimi kryesor i Edith Durham-it ishte mungesa totale e mjekëve në Shqipërinë veriore: “Fjalët nuk mjaftojnë për të përshkruar mjerimin e të sëmurëve në këto treva, që gllabërohen nga morrat dhe kalben të braktisur mbi grumbuj fierash ose në rrecka të djersitura, në një cep të errët, derisa vdekja vjen t’i çlirojë. Asnjë mjek nuk ka depërtuar në këto treva të egra, asnjë mësues përjashto këtu priftërinjtë françeskanë, të cilët përgjithësisht kanë njohuri mjekësore shumë sipërfaqësore”.
Kur ishte në Theth antropologia angleze vinte re se: “Një numër i madh të sëmurësh vijnë dhe i kërkojnë kura priftit. Pavarësisht ajrit të mrekullueshëm, numri i vdekjeve është tmerrësisht i lartë. Thethi u goditkatër vjet më parë nga lija (1904), që bën kërdinë çdo dy vjet mbi popullsinë e pa vaksinuar të Perandorisë turke, ndërsa fqinji Mali i Zi, ku njerëzit janë vaksinuar, është i imunizuar. Asnjë lloj asistence mjekësore nuk arriti në ndihmë të këtyre të shkretëve, duke lënë sëmundjen të bënte gjëmën”.
Për më tepër, Durham-i ishte e tronditur nga përhapja e epidemive: “Të favorizuara nga kushtet e tmerrshme të jetesës, të gjitha epidemitë – kolerja, tifo, lija dhe deri gripi – marrin përmasa të frikshme kur përhapen në male. Nuk është e mundur të merren masa: izolimi nuk mund të praktikohet në shtëpi që kanë vetëm një dhomë dhe ku flejnë së bashku më shumë se 30 persona; një dietë e përshtatshme nuk mund të mendohet, atje ku je me fat nëse gjen bukë; ndërkohë që shërbimi mjekësor nuk ekziston. Në vjeshtë fëmijët vdesin si mizat. E dorëzuar dhe e pafuqishme, popullsia pret çdo herë që stuhia të qetësohet. E gjel – është shkruar”.
Në Shalë ishte përhapur përmes kontaktit seksual edhe një sëmundje e frikshme: “Shala është një nga fiset më të prekura nga një formë sifilizi, që thuhet se është futur kohët e fundit. Sëmundja shfaqet në të gjitha fiset e martuara me Shaljanët. Thuhet se në disa zona është gati e pamundur të gjesh një grua të paprekur. Në të kundërt, fisi i Mirditës, duke qenë i një gjaku me Shalën dhe për rrjedhojë nuk mund të martohet me ta, nuk është prekur”.
Vdekshmëria e grave dhe fëmijëve
Edith Durham-i i kushtoi një vëmendje të veçantë nivelit të lartë të vdekshmërisë së grave dhe fëmijëve: “Pavarësisht gjakmarrjes, ka më shumë burra sesa gra. Njerëzit besojnë se Zoti, me bujarinë e tij të pamasë, furnizon Shqipërinë me një rezervë ekstra, i vetëdijshëm për nevojën e madhe që ajo ka për meshkuj. Por e vërteta lidhet me vdekshmërinë e lartë të femrave. Mosha tepër e re për martesë – shpesh 13 vjeç – dhe injoranca gjatë proçesit të lindjes shkaktojnë vdekje të shpeshta gjatë lindjes; e keqja më e madhe ndodh pasi gratë rifillojnë punën menjëherë pas lindjes së fëmijës”.
Por mbi të gjitha është vdekshmëria foshnjore që prek antropologen angleze, e cila analizon dhe shkaqet: “Vdekshmëria foshnjore në Shqipërinë veriore është egërsisht e lartë. Nëna e shkretë sheh të vegjlit që njëri pas tjetrit treten e vdesin, po nuk e di se ata janë vetëm viktima të injorancës – më e pamëshirshmja e të gjithave shtrigave. Foshnja, e fashuar fort, vendoset gjithmonë në një djep prej druri, mbi të cilin shtrëngohet me litarë një batanije e trashë dhe e rëndë prej leshi, dhuratë e gjyshes nga nëna për nipin e parë. Trashësia e saj është e njëjtë me atë të një tapeti normal dhe pengon transpirimin. Fëmija rri gjithmonë i mbyllur në shtëpi; nëna e gjorë kujdeset me ankth që të mos zbulohet as për një moment. Ajo arrin deri aty sa e ushqen me gji duke e marrë djepin në gjunjët e saj dhe duke e hapur vetëm pak batanijen vdekjeprurëse. Është e bindur se uji është një gjë fatale. I asfiksuar, i zbehtë nga mungesa e dritës dhe i helmuar nga ajri i rëndë, fëmija fishket dhe vdes pavarësisht nuskave të varura rreth kokës dhe qafës së tij, për të mbajtur larg shtrigën dhe syrin e keq. Në Kelmend, një nëne i kishin vdekur të shtatë fëmijët para se të mbushnin dy vjeç. Ishte e bindur se gjirit të saj i ishte bërë magji dhe qumështi i saj ishte i helmuar. Ngriti një cep të batanijes mbytëse për të më treguar të voglin. Nuk kishte simptoma sëmundje apo vjedhje të ushqimit. Por ishte i zbehtë si një bimë e rritur poshtë vazos. E luta ta zbulonte, ta lante me ujë të ngrohtë dhe ta nxirrte jashtë. E kotë. Fëmijët nuk duhet të rrinë asnjëherë zbuluar, ky është adeti (zakoni) dhe adeti nuk mund të ndryshohet. Vetëm fëmijët vërtet të fortë mbijetojnë dhe bëhen jashtëzakonisht rezistentë”.
Marash Uci, kirurgu i madh i Hotit
Edit Durham ishte një mikeshë e madhe e Marash Ucit (1810-1914), kryeplakut të Hotit, i cili u bë i pavdekshëm nga vargjet e Gjergj Fishtës si heroi i betejës së Ura e Rrzhanicës. Pavarësisht rolit të tij si “memorja historike” e fisit të Hotit, Marash Uci ishte edhe një kirurg popullor shumë i njohur dhe, duke u nisur nga jetëgjatësia e tij, duhet të ishte shumë i përgatitur në fushën e mjekësisë. Ja si shprehet antropologia angleze:
“Plaku nuk ishte vetëm një autoritet ligjor, por edhe një kirurg i famshëm. Kishte arritur tashmë sukses të madh dhe kishte fituar shumën e madhe prej 30 monedha floriri – shuma më e lartë që kishte fituar ndonjëherë – pasi kishte shpëtuar këmbën e një ushtari; ai e tregoi këtë histori me krenari modeste. Ushtari ishte shkelmuar nga një kalë; rezultati ishte një frakturë në këmbë me kockat e copëtuara. (Plaku tregoi në këmbën e tij pozicionin e kockave dhe vendin e frakturës). Mjeku ushtarak turk donte t’i priste këmbën – plaga ishte infektuar shumë. Ushtari refuzoi të humbiste këmbën e tij, la spitalin dhe thirri plakun. “Nëse thyhet kavilja”, shpjegoi plaku, “nuk mund ta rregullosh më. Nëse një plumb përshkon gjurin e një burri, ai zakonisht vdes. Por mjaftojnë vetëm tre gishta sipër kaviljes ose poshtë gjurit dhe ai shpëton. Mund të shpëtosh gjithmonë njërën këmbë, mjaft që të bësh kujdes”. Me pincën e tij artizanale i kishte hequr 17 copa kockash. Kur u bind se i kishte hequr të gjitha e lau plagën mirë me raki. (Rakia distilohet nga lëngu i rrushit; kur distilohet për herë të dytë përmban një nivel shumë të lartë alkooli). Plaku tha se asnjëherë nuk duhet pastruar plaga me ujë – por vetëm me raki shumë të fortë. Pastaj e mbylli dhe e fashoi plagën me një pomadë të bërë nga ai vetë – përbërësit janë: ekstrakt rrëshire pishe, lëvore jeshile e rrënjëve të shtogut, dyll i bardhë bletësh dhe vaj ulliri. Nuk i di vetitë e lëvores së shtogut, por rrëshira e pishës është një antiseptik i fortë. Plaku i bashkoi fundet e kockave, dhe e lidhi këmbën me një copë dërrasë; kockat u ngjitën pas tre javësh dhe pas gjashtë javësh burri ecte sërish, me një këmbë pak më të shkurtër, por prapëseprapë shumë të nevojshme”.
Veç kësaj, Edith Durham na bën të ditur se – siç është logjike në një zonë ku ishin shumë të përhapura hakmarrjet dhe të shtënat – Marash Uci “ishte ekspert për plagët nga armët e zjarrit. Për ndihmën e shpejtë këshilla e tij ishte: të përzihet e bardha e vezës me shumë kripë, të vihet mbi plagë sa më shpejt e pastaj të fashohet. Kjo bëhet vetëm përkohësisht, përpara se pacienti mund të trajtohet siç duhet me raki dhe rrëshirë, siç u përshkrua më sipër. Plaga mbulohet me lesh deleje të pastër dhe të njomur me rrëshirë. Fashat ndërrohen në mëngjes dhe në darkë, por edhe në mesditë nëse klima është shumë nxehtë. Nëse plaga shfaq shenja të gangrenës duhet larë vazhdimisht me raki çdo herë që është e nevojshme. Plaku e kishte trashëguar formulën e pomadës nga gjyshi i tij, që nga ana tjetër e kishte trashëguar nga i tiji. Kërkoi falje që nuk mund të tregonte dozën e saktë të përbërësve, por ajo ishte sekret i familjes. Është interesante të mendohet se kirurgjia antiseptike praktikohej në Ballkan prej të paktën dy brezash – e kushedi sa kohë më parë – ndërsa Europa perëndimore lante ende plagët me ujë të pisët”.
Por admirimi i Edith Durham-it për mikun e saj Marash shkon përtej kur autorja nënvizon se kirurgu i vjetër “zotëronte njohuri të shumta për nocionet empirike – më tregoi ku kalonin arteriet kryesore, ku ishte e rrezikshme të presësh e ku ishte e sigurtë. E pyeta se si mësohet kirurgjia. Tha se pikë së pari duhen duar të mira e gishta të mirë (të tijat ishin shumë të bukura), dhe duhet të mendosh gjatë e të kujtosh çfarë ke parë tek një pacient për të zbatuar eksperiencën në një rast tjetër të ngjashëm. Mbi të gjitha, nuk duhet të nxitohesh dhe duhet të jesh i qetë kur pret. Natyrisht, ai nuk kishte aspak njohuri për anestezinë dhe metodat e tij shkonin përtej asaj që mund të duronte një europiano-perëndimor. Por fshatari ballkanas duket se nuk e ndjen aq shumë dhimbjen dhe vuan shumë rrallë prej shok-ut”.
Antropologia përshkruan dy operacione të tjera të kryera me sukses nga Marashi, një në një rast iktusi dhe atë të një gishti të copëtuar: “Ai shpjegoi se apopleksia shkaktohet kur ka bollëk gjaku në tru. Pak kohë më parë, ai ishte thirrur për t’i ardhur në ndihmë një gruaje që ishte rrëzuar papritmas, duke mbetur afazike (mezi fliste) dhe e paralizuar komplet nga njëra anë e trupit. Ai i mori gjak nga thëmthi i anës së dëmtuar dhe bëri të njëjtën gjë për shtatë herë rradhazi në krahun e anës tjetër. Ditën tjetër ajo ishte më mirë. U rikuperua mirë, tani ecën, edhe pse çalon pak. Plaku mbështeste se duhet me qenë të udhëhequr nga rrethanat. Një burrë kishte shkuar tek ai pak kohë më parë me një gisht të copëtuar. Kur plaku i kishte hequr copat, konstatoi se fundet e kockave ishin shumë të mprehta dhe të çrregullta për t'u puthitur mirë. Kështu i sharroi me një sharrë të vogël të bërë nga ai vetë, i sistemoi dhe bëri një gisht të mirë, por të shkurtër”.
Marash Uci ishte shumë kompetent edhe për kirurgjinë shumë të vështirë e shumë delikate të kafkës. Edith Durham e pyeti mbi këtë temë dhe mori përgjigje befasuese: “Duke e ditur se kirurgët e vjetër malazezë janë të famshëm për trapanimin e kafkës, e pyeta plakun se çfarë bënte kur përballej me një frakturë kafke të rëndë. “Ah”, u përgjigj, “koka është e vështirë. Është si një vezë. Jashtë është lëvozhga, poshtë qëndron pleura dhe në brendësi truri. Nëse çahet pleura nuk mund të bëhet asgjë – njeriu do vdesë. Por nëse kocka e thyer e shtyp atë, mund të shpëtojë. Çahet kështu” – dhe bëri një formë trekëndore në kokën e një burri pranë tij – “e pastaj hapet. Më pas hiqen copat e kockave të thyera dhe me shumë kujdes hiqet trekëndëshi i prerë i kafkës. Por nuk mund të lihet truri i zbuluar. Duhet prerë një pjesë kungulli i tharë dhe shumë i fortë, që të ketë përmasat e duhura – dhe rrumbullak si koka e njeriut. Mund të gjenden pjesë që përshtaten shumë mirë. Vetëm se duhet të jetë shumë i fortë. Pastaj vendoset pjesa e lëkurës sipër saj dhe, nëse është e nevojshme qepet, vendoset pomada e rrëshirës dhe koka do të jetë njësoj si më parë. Kirje (karvanar në gegërisht) konfirmoi menjëherë me entuziazëm se i ishte nënshtruar një ndërhyrjeje të tillë 16 vjet më parë; ishte goditur në kokë gjatë një grindjeje në pazar dhe ishte sjellë në shtëpi pa ndjenja, e kishte marrë veten vetëm pasi kocka e thyer ishte hequr. Kishte një copë kungulli në kokë që nga ajo kohë. Nuk kishte asnjë dallim, veç faktit se i kruhej koka më shumë nga ajo anë sesa nga tjetra. Të gjithë i ekzaminuan me kureshtje kokën”.
Marash Uci nuk ishte i vetmi kirurg popullor në malet shqiptare, dhe siç pranoi ai vetë, në Mirditë ishte një kirurg më i mirë se ai: “Plaku tha se nuk kishte prerë asnjëherë ndonjë kafkë, por vetëm sa kishte hequr copat. Tha se në Mirditë ishte një njeri shumë i zoti për hapjen e kafkës. I kishte hequr një pjesë të madhe të kafkës një burri të plagosur rëndë dhe pa ndjenja. (Sipas përshkrimit, një masë të gjerë të pjesës së majtë). E kishte zëvendësuar tërësisht me kungull dhe e kishte shëruar”. Për më tepër, sipas Edith Durham-it, “si Hoti, edhe Plani ka një kirurg të njohur. Por fatkeqësisht ai ishte larguar. Sëmundjet e syve ishin specialiteti i tij”.
Këto informacione të çmuara të dhëna nga antropologia angleze padyshim e bëjnë lexuesin e sotëm të reflektojë. Nga një anë del në pah zhvillimi i mirë i kirurgjisë shqiptare 100 vjet më parë, pavarësisht kushteve të vështira të territorit dhe popullsisë. Nga ana tjetër shtrohet pyetja pse sot neurokirurgët e aftë janë kaq të paktë në Shqipëri dhe pse vdekshmëria nga iktuset është kaq e lartë. Sigurisht që Marash Uci ishte shumë empirik, por të paktën provonte të shpëtonte çdo jetë dhe i qëndronte mendimit se rregulla e një kirurgu të mirë ishte: “kujto çfarë ke parë tek një pacient, për të bërë të njëjtën gjë në rastin tjetër të ngjashëm”. Sot, përkundrazi, operacionet bëhen rrallë, sidomos në kokë, kështu që ekziston rreziku që kirurgët të mos arrijnë të krijojnë eksperiencën e duhur për të përmirësuar teknikat e tyre dhe për të shpëtuar të gjitha jetët që mund të shpëtohen.
Kura popullore kundër sëmundjeve të ndryshme
Edith Durham kujton një proverb shqiptar që thotë: “Ka bimë për çdo sëmundje”. Sot, kjo është motoja e shkencës moderne të homeopatisë, që i kundërvihet mjekësisë së bazuar në farmakologjinë kimike. Shohim kështu disa kura popullore, që përdoreshin në malet shqiptare një shekull më parë. Disa janë fryt i besëtytnive, disa të tjerë janë të shpifur, por gjithsesi duhet të njihen.
“Për koniunktivitet (infeksione të syrit) më kanë garantuar se ekziston një ilaç i pagabueshëm: lëngu i Parietaria officinalis (bar muresh) i përzier me pak kripë. Doza që duhet përdorur është tre pika në sy, dy herë në ditë”.
“Një kurë popullore për prerjet ose plagët është Hypericum perforatum (droshnja) e zakonshme, e bërë pluhur dhe e shkrirë në një shishe vaj ulliri. E gjithë masa duhet të lihet në diell për disa ditë, pastaj është gati për t'u përdorur. Ka një reputacion të tillë kurues sa mendoj se ka ndonjë efekt antiseptik”. (Në fakt, droshnja është vërtet antiseptike dhe cikatrizuese, dhe ende sot përdoret në malet e Hercegovinës).
“Kura për verdhëzën, patologji shumë e përhapur nëpër male, konsiston në kapjen e një peshku të vogël, vendosjen e tij në një legen me ujë e më pas duhet ta fiksosh ndërsa noton. Pas disa ditësh, verdhëza largohet nga sytë dhe i kalon peshkut, kështu që njeriu shërohet”.
Në fisin Berisha, një kavilje e ndrydhur shërohej me kompresa të ngrohta, që ndërroheshin shpesh, të lagura në lëngun e zier trashë të fierave (Ceterach officinarum dhe Asplenium Trichomanes) bashkë me mente të egër. Përkundrazi, në fisin Nikaj, opinioni lokal ishte se tre burra të fortë duhet ta tërhiqnin kaviljen derisa ajo të bënte “pop” e pastaj ishte shëruar”.
Sipas Marash Ucit, “breshkat e zakonshme të tokës po të zieshin në vaj, nuk ishin vetëm një ushqim i mirë, por edhe një kurë efikase për sëmundjet e mushkërive”.
“Në Gjakovë kishte shpërthyer epidemia e tifos. I këshillova pushim të plotë, higjenë dhe një dietë me lëngje, dhe provova më kot t’iu rekomandoja mos përdorimin e kurës së ndyrë lokale: jashtëqitje qeni të lëna mbi një shkëmb në diell, të kthyera në pluhur e të tretura më pas në ujë. Por njerëzit i besonin verbërisht asaj përzierje. Dinin disa raste kur njerëzit kishin mbijetuar pasi e kishin pirë, dhe për këtë e konsideronin një ilaç”.
“Konstatova edhe se i vetmi ilaç emetik (që nxit të vjellët) i njohur nga farmacologjia shqiptare ishin jashtëqitjet njerëzore të shkrira në ujë – të përdorura në raste kur dyshohej për helmim; e njëjta kurë përdoret për dipsomania (impuls i pa frenueshëm për të pirë çdo lloj pijeje alkolike), por këtë herë përzihet me raki”.
Forca fizike e malësorëve
Për të arritur të pish raki me jashtëqitje njerëzore duhet një forcë e madhe fizike, por malësorët e përshkruar nga Edith Durham i rezistonin edhe plumbave pa pasur nevojë për mjekun. Autorja përshkruan historinë e pabesueshme të një mirditori më të fortë se ariu: “Një mirditor ishte përfshirë në një grindje dhe u kthye në shtëpi pasi kishte përshkuar një distancë të madhe. Piu filxhanin e zakonshëm të kafesë së zezë dhe po bëhej gati të pinte dhe një tjetër, kur lëshoi një britmë, ra përtokë dhe vdiq pak më vonë. U zbulua se një plumb i kishte përshkuar trupin (besoj përmes stomakut, duke iu referuar tregimit); plaga ishte cikatrizuar dhe nuk kishte pothuajse aspak hemoragji të jashtme. Me pak fjalë ndoshta nuk e kishte kuptuar që ishte qëlluar”.
E për ta mbyllur me të qeshur, ja ku po ju sjell përshkrimin që antropologia angleze jep për një festë në fisin e Dushmanëve: “Festa nuk mbaroi pa u derdhur gjak. Një Dushman u plagos aksidentalisht. Dikush zbrazi një breshëri baruti afër tij, duke i hedhur mbrapsht gëzhojat në parakrah. Ishte një e çarë e keqe, e infektuar, plot me letra dhe stof të karbonizuar, dhe mënga e tij ishte gjakosur; por nuk i kushtoi as vëmendjen më të vogël. Ai dhe miqtë e tij qeshën me idenë e pastrimit të plagës. Thanë se të gjithë kishin nga një plumb në trup dhe një gëzhojë nuk ishte asgjë. Futi gishtin e madh të anës së krahut të plagosur tek gjerdani i fishekëve për të mbajtur bllokuar krahun dhe u vërsul të zbriste malin bashkë me shokët e tij, duke kënduar me zë të çjerë”.
Në fakt, shtrohet pyetja se për çfarë duheshin mjekët…