Nga Artur ZHEJI

I do zgjedhjet lokale më 30 qershor. Vetëm dhe rrethuar bollshëm, me zarat, zarushat, larushat dhe larot e tij pas, ca peshq të vegjël dhe mishngrënës, të paguaj dhe ndihmësit e tij, në shqyerjen e tokave, nëntokës, pyjeve, detit e buzëdetit, që thirret akoma Shqipëri.

Nuk janë pra Zgjedhje, por një Fushatë pushtimi, qytetesh, trojesh, pyjesh dhe tokash të shtrenjta bregdetare…

Por në të vërtetë, edhe Rama nuk ka faj, ju kundërshtarët e tij të sotëm politikë, e sollët deri këtu, si partner të besueshëm dhe si punëmbaruar… Që ju shkruante dikur fjalimet dhe ju “frymëzonte”, tani mbajeni deri në fund dhe mos e thërrisni as kopuk dhe as të çmendur. Ay, kryetari i dikurshëm i Opozitës, me të cilin ndryshuat dhe vutë dorë në mënyrë të gabuar në Kushtetutën shqiptare të vitit 1998, duke e shkatërruar atë, në vitin 2008, njohur si viti i Gërdecit…

Ju nuk e kuptoni, që Ay, kryeministri i sotëm, ish Piktori, por përsëri Piktor, thjesht do të mbarojë tablonë e tij murale, ku ju të tjerët, ish partnerët dhe ish bashkëautorët e Marrëveshjeve që keni bërë me të, sot armiqtë e tij, të dukeni nesër, në pikturën e tij murale, ca oborrtarë…

Por, që mbani në supet tuaja të pikturura, fronin e tij dhe të hidhni majtas dhe djathtas, petale trëndafili dhe të këndoni ca këngë korale të adhurimit kolektiv…

Ay pra, do të ketë dhe të kruajë çdo cep të tepsisë, të gjitha pushtetet….

Sepse Prokurorinë e ka, Gjykata nuk ka, por do të ketë, mundësisht të ndërtuara me plastelinë prej tij dhe deputetëve të rinj, të cilët, ju Shefa Opozitarë, i sollët në Kuvend në listat tuaja zgjedhore… Mos harroni, ju i ndërkallët ndër lista këto djem e vajza që sot votojnë për ngrënien e kokës tuaj dhe kanë zgjedhur një Kryeshef të ri.

Kryeministrin “bujar”, që ka thes të madh favoresh dhe shpërblesash të majme.

Do të emërojë krejt “zarat” e tij të bindur, në krejt postet kyçe, që do të jenë butonat e pushtetit të tij. Durojeni, vetë e sollët deri këtu, sepse e kujtuat “frikacak” dhe të paaftë, ndërkohë që Ay, ju kishte studiuar të gjithëve, një e nga një.

Ja u mësoi veset tuaja, trillet tuaja, oreksin tuaj dhe krejt zakonet tuaja dhe mënyrën tuaj të të menduarit dhe të vepruarit me pushtetin dhe njerëzit…

Ja u njeh të gjithë këshilltarët apo ish këshilltarët tuaj dhe i paguan për t’ju çkëshilluar, kush prej tyre ka ndonjë vlerë. Por më të shumtën i le patrazuar, sepse keni zgjedhur për tu këshilluar nga “shahistë” që mendojnë vetëm tre lëvizjet e para dhe ju mburren e shesin mend pafund, me dokrrat e tyre, që i shesin shtrenjtë…

Por ish Piktori, Ay pra, Piktori që mbetet kryeministër, nga dita në ditë po e lehtëson punën e kundërshtarëve të tij, duke e çuar trenin e tij në Përplasje, nga e cila përplasje nuk ka dhe nuk mund të ketë fitimtarë të vërtetë…

Piktura murale e Ferrit të Biblës dhe të Dantes, po plotësohet ditë pas dite në Shqipëri dhe ish Piktori, apo Piktori kryeministër, po hedh penelat e fundit, ku pasionin për “gjuhët” e zjarrit po e përsos mjeshtërisht…

Po zjarri dihet, mund të djegë edhe zjarrvënësin e madh … Ndoshta! /360grade.al