Nga Myzejen Konduri

Regjisorja e talentuar Driada Dervishi që po lë gjurmën e punës së saj, tashmë padyshim, është bërë e njohur jo vetëm në qytetin tonë, po në mbarë vendin, na bëri të prekim një mrekulli, në një mjedis të lashtësisë, në Torrën Veneciane. Performaca poetike solli vargjet më të bukura të Gjeniut të Letrave, që ka vënë shpirtin e tij. ISMAIL KADARE, me prezencën e Madhështinë e tij, shoqëruar nga e bukura dhe e mençura Helena Kadare, me duartrokitjet e mirçseardhjes, ishin prologu i kësaj performance poetike, nën vezullimin e Prozhektorëve dhe Hëna e plotë në qiellin mbushur me yje.

Regjisorja e producentja Driada Dervishi, me forcën e artit e intuitën e saj në perfeksion për të gjetur suksesin, ia arriti.

Përzgjedhja e skenës dhe e disa prej yjeve të kësaj skene, si Ndriçim Xhepa, Yllka Mujo, Arben Derhemi, Xhelal Tafaj Olta Daku, Anila Bisha, bënë të gurgullonin fjalët në vargje, herë me pathos, herë me dhembshuri, herë me dashuri, duke i dhënë aromën e pazakontë  kësaj mbrëmjeje mrekulli.

Balerina Vanesa Barushi, që vinte e ikte në skenë si një shtojzovalle, me interpretimin tërë elegancë e finesë dhe fustanin si prej vele të bardhe, në dekorin e Torrës, ngjante si në përrallë.

Fragmentet e melodive që luante flautistja Daorsa Dervishi dhe kitaristi Arber Çerrit, e sillnin magjinë në shpirtin e shikuesve që ishin piktura më e bukur e kësaj nate.

Vikena Kamenica, me zërin brilant dhe interpretimin e saj, përndriti e na mjegulloi frymën. Këngët nga vargjet e disa poezive ndër më të njohura të Muzës së Kadaresë, kompozuar nga Hajg Zaharian një tjetër personalitet i  qytetit dhe kompozitor i shquar, e  ndezën mbrëmjen me emocionet që na mbështollën.

Shikuesit e nderuar në këtë performance poetike, mbresëlenëse të rrallë përtërinë kujtimet, ndjenjat.

Edhe një herë, dua të lëvdoj Driadën, që ka arritur mjeshtërinë e profesionit duke na treguar dhe me këtë performancë poetike që çdo punë që kalon në dorën e saj, do të shndërrijë.