Situata e vështirë ekonomike duket se ka prekur dhe sektorin e turizmit
Sipas agjensive turistike janë pak a shumë po të njëjtët klientë që zgjedhin t’i kalojnë pushimet jashtë
Po i drejtohemi fundit të dhjetorit e kjo periudhë në të gjithë botën nënkupton atmosferë festive, pasi afrohen festat e fundvitit, Krishtlindjet dhe Viti i Ri. Megjithëse Krishtlindjet ende nuk janë bërë për ne shqiptarët një festë e vërtetë, në të gjithë kuptimin që kjo festë mbart (kjo për shkak të ndalimit të besimit fetar gjatë kohës së regjimit komunist), prapëseprapë ato është janë një mundësi e mirë për të shkëmbyer dhurata e për të organizuar ndonjë udhëtim turistik. Veç dekorit festiv (në shtëpi apo në qytet), rendjes nëpër dyqane për të zgjedhur dhuratat, shqiptarët janë duke menduar edhe për mënyrën se si do t’i kalojnë këto festa. Ata që kanë të ardhura të konsiderueshme e kanë kthyer tashmë në traditë udhëtimin jashtë vendit, ndërsa pjesa tjetër mundohet që në bazë të të ardhurave që ka të organizojë diçka të bukur në shtëpi apo në lokale për të kaluar në mënyrë festive e për të dalë disi nga rutina e përditshme. Por në këtë kohë kur dëgjon të flitet gjithë ditën për krizën (e brendshme apo atë europiane) për uljen e fitimeve e për rritjen e çmimeve si do të reagojnë shqiptarët? Për të zbuluar disi trendin e këtij fundviti, sa të predispozuar do të jenë qytetarët të organizojnë udhëtime turistike, sa është shuma që ata mendojnë të shpenzojnë dhe se cilat janë grupmoshat që zgjedhin t’i kalojnë pushimet jashtë ne ju drejtuam agjensive turistike, të cilat më shumë se kushdo në këto ditë janë të ngarkuara me punë.
Nga bisedat me drejtues të këtyre agjensive kupton se tashmë është krijuar një kategori shqiptarësh që udhëtojnë rregullisht jashtë shtetit në raste festash, pra pak a shumë ka një numër konstant të atyre që tashmë e kanë bërë traditë udhëtimin turistik për Krishtlindje apo Vit të Ri. Sipas agjensive ka nisur prenotimi i udhëtimeve individuale apo në grup dhe një pjesë e konsiderueshme e kërkesave i referohen paketave turistike të vendeve të rajonit, pasi dhe çmimet e tyre janë më të ulta sesa ato të kryeqyteteve europiane. Për sa i përket Krishtlindjeve, kategoria që ka prenotuar më shumë paketa turistike për në rajon dhe Europë janë grupe të rinjsh, të cilët studiojnë në Shqipëri dhe jashtë kufijve, por që kanë vendosur të bashkohen dhe të festojnë jashtë Krishtlindjet. Pavarësisht se tani liberalizimi i vizave i jep mundësi kujtdo të udhëtojë jashtë shtetit (brenda vendeve të Eurozonës), jo kushdo që shkon në një vend europian është turist i mirëfilltë.
Duke iu referuar agjensive turistike pjesa më e madhe e atyre që prenotojnë bileta avioni apo trageti në këtë periudhë shkojnë jashtë për të takuar familjarët e tyre. Ndërsa më parë ishin emigrantët ata që ktheheshin në verë apo në dimër për të takuar familjarët, tashmë shpesh ndodh e anasjellta. Gjithsesi turistë apo jo, e rëndësishme është se shqiptarët tashmë kanë mundësi të realizojnë atë ëndërr të vjetër të tyre, të shohin botën pa qëndruar për orë, ditë e muaj të tërë në rradhë para ambasadave të huaja për të marrë një vizë. Gjatë bisedës me drejtues agjensish turistike kupton se për fat të keq, megjithëse në verë vendi ynë është një destinacion i preferuar për shumë turistë të huaj, tani në fund të vitit asnjë i huaj nuk shpreh interes të kalojë Krishtlindjet apo Vitin e Ri në Shqipëri. Kjo është dëshmi e kapaciteteve të pamjaftueshme që ka vendi ynë për të qenë atraktiv në çdo periudhë të vitit.
Z. Edmond, ju jeni një ndër agjensitë që ofron paketa të ndryshme turistike. A kanë nisur prenotimet e udhëtimeve turistike për Krishtlindjet dhe Vitin e Ri dhe nëse bëhet krahasimi me vitet e kaluara a ka ulje të kërkesës për udhëtime?
Normalisht që guidat turistike kanë filluar që të promovohen që në mesin e muajit nëntor, ndërsa normalisht shitjet bëhen gjatë muajit dhjetor. Shitjet e para të paketave turistike thuajse kanë nisur dhe javën në vazhdim pritet që të rritet akoma edhe më shumë fluksi i blerësve. Sigurisht kanë filluar prenotimet si për Krishtlindje ashtu edhe për Vitin e Ri. Në vendin tonë ka më shumë kërkesa për paketa apo udhëtime turistike gjatë ditëve të fundit të vitit. Ne shqiptarët jemi më të prirur për të festuar Vitin e Ri se sa Krishlindjet prandaj edhe për këto ditë prenotimet janë më të shumta. Megjithëse ka ende kohë për blerjen e paketave, sepse siç e thashë shitja e tyre sapo ka nisur pritet që edhe sivjet të ketë të njëjtin interesim që pati edhe vitin e kaluar. Dua të theksoj se janë pak a shumë po ata klientë që udhëtojnë gjithmonë. 80% e paketave turistike blihet nga ata që e kanë kthyer në traditë kalimin e festave jashtë vendit. Nuk parashikohet të ketë një ngritje apo një ulje të numrit të klientëve. Është e njëjta kategori njerezish që tashmë janë kthyer në turistë të rregullt.
Cilat janë destinacionet më të preferuara? A ka shqiptarë që preferojnë destinacione ekzotike apo vende pak të njohura për ne?
Destinacionet më të preferuara janë ato drejt kryeqyteteve të Europës siç është Parisi, Madridi, Roma etj. Por edhe vendet e Azisë janë të frekuentuara nga shqiptarët. Ndërsa përsa i përket vendeve ekzotike, natyrisht që shqiptarët janë të interesuar për to. Vendet ekzotike duan t’i vizitojnë të gjithë, por duke qenë se janë më të lakmuarat kanë një çmim më të shtrenjtë sesa paketat për në vendet e tjera dhe kjo i frenon pak klientët për të bërë këtë zgjedhje.
Sa shpenzojnë mesatarisht shqiptarët për udhëtime turistike?
Kjo është një pyetje e vështirë për t’u përgjigjur saktë, por kam përshtypjen se shqiptarët nuk është se kanë maninë për të harxhuar shumë para. Që një shqiptar të marrë një paketë për të kaluar pushimet jashtë ka shumë mundësi për të zgjedhur. Paketat fillojnë nga 150 deri në 200 euro për person në vendet e rajonit si Mal i Zi, Maqedoni, Kroaci etj. Dhe në këto kufij janë paketat që preferohen më shumë. Ndërsa paketat për në perëndim lëvizin nga 500 deri në 800 euro. Këtu përfshihen udhëtimet drejt Budapestit, Vjenës, Parisit, Romës, Madridit Valencias apo Barcelonës. Sigurisht që këto janë vendet më të bukura të Europës e për këtë arsye i kanë çmimet më të kripura.
Cilat janë kategoritë që udhëtojnë më tepër të rinjtë, çiftet e reja apo ata me fëmijë?
Kategoritë e njerëzve që shkojnë për të kaluar pushimet jashtë vendit janë të ndryshme. Po kryesisht janë çiftet e reja ata që lëvizin më shumë, pasi në periudhën e vitit të ri lëvizja me fëmijë është pak e vështirë për shkak të temperaturave të ulëta. Kështu që përgjithësisht dominojnë çiftet, por ka dhe nga ata që i kalojnë pushimet me të gjithë familjen jashtë.
Nga shqiptarët që do t’i kalojnë pushimet jashtë shtetit sa përqind e tyre do të shkojnë për pushime e sa përqind për të takuar të afërmit?
Megjithëse numri i shqiptarëve që do të largohen nga vendi, ditët e fundit të këtij viti, është relativisht i madh ata që shkojnë për pushime janë shumë më pak në krahasim me ata që shfrytëzojnë këtë periudhë për të takuar të afërmit e familjarët që jetojnë e punojnë jashtë vendit. Duhet të kemi parasysh që gati gjysma e Shqipërisë jeton në emigracion, kështu që shumë udhëtojnë për arsye familjare. Raporti është gati gati është një me tre, mes atyre që prenotojnë udhëtime turistike e atyre që udhëtojnë për të takuar të afërmit.
Shumë shqiptarë udhëtojnë jashtë shtetit për pushimet e fundvitit, a ka të huaj që vijnë të vizitojnë Shqipërinë në këtë periudhë dhe nëse po ku preferojnë të shkojnë ata?
Mund të themi me shumë keqardhje që të huajt nuk preferojnë të kalojnë pushimet e fundvitit në Shqipëri. Pra s’mund të merren në konsideratë, pasi numri i tyre është i papërfillshëm.
Meqë vendi ynë është prekur nga kriza, a është ulur disi çmimi i paketave turistike në krahasim me vitet e tjera?
Sigurisht që çmimet e paketave apo edhe të biletave janë më të ulëta se një vit më parë. Kjo ulje e çmimeve nuk është bërë vetëm nga ana jonë por edhe nga vendet e tjera të Europës, pasi kriza ka pllakosur të gjithë kontinentin. Janë ato që bëjnë të parët uljet dhe më pas i bëjmë edhe ne, pra nëse do t’i krahasonim çmimet e biletave apo edhe të paketave turistike këtë vit janë 30% më të ulëta.
Reagime qytetarësh për çmimet e biletave
Elisabeta Bakiu: “Në këtë periudhë të vitit biletat janë shumë të shtrenjta dhe me lekët që ne marrim nuk mund t’i blejmë dot. Mua dhe bashkëshortit biletat na i preu vajtje ardhje djali që kemi në Itali, pa po të ishte për ne për 100 vjet nuk do të kishim mundësi për t’i blerë. Kam më shumë se 2 vite që nuk e shikoj djalin dhe familjen e tij pasi nuk kemi mundësi të shkojmë më shpesh për t’i takuar ata në Itali”.
Margarita Kuçi: “Për të prerë një biletë vajtje ardhje në Itali harxhoj gjashtë muaj nga pensioni im. Kjo biletë që kam në dorë kushton se para marr unë për gjashtë muaj pension. Nuk kemi mundësi për t’i blerë, por shyqyr që kemi fëmijët që mendojnë për ne dhe na dërgojnë lekët për të prerë biletat.
Mimoza Meslani: Çmimi i biletave ka shkuar në stratosferë, janë shumë të shtrenjta, por nuk kemi se çfarë të bëjmë nga e keqja do të sakrifikojmë dhe do t’i blejmë ato. Unë do të shkoj në Firence të shikoj djalin, pasi është në spital. Po të ishte për të shkuar për qejf as që më shkonte ndonjëherë në mendje të harxhoja kaq shumë para për të shkuar atje, por çfarë t’i bëj hallit që më detyron të shkoj.
Arlind Molla: Shkoj shpesh në Itali, pasi më lidh puna me këtë vend. Në periudhë fluksi zakonisht biletën e prenotoj kohë më parë, pasi gjithmonë agjensitë i rrisin çmimet në këto raste. Kohët e fundit i kam prenotuar biletat përmes internetit, aty i gjen shumë më lirë, sesa çmimi që ofrojnë agjensitë.
Çmimet e paketave turistike për festat e fundvitit
Dubrovnik për Natën e Vitit të Ri
139 euro për person 1 natë
199 euro për person 2 net
269 euro për person 3 net
Udhëtime individuale
Bianca Resort, Kolashin, Mal i Zi – hotel me tri yje; 136 euro/person, 2 netë Krishtlindjesh
Alpina Hotel Mavrov, Maqedoni – 99 euro/person, 2 netë Krishtlindjesh
Udhëtime në grup
Dubrovnik: 24-26 dhjetor, 119 euro/person
Paris: 23-26 dhjetor, 499 euro/person
Pragë: 24-27 dhjetor, 479 euro/person
Romë-Firence: 23-26 dhjetor, 429 euro/person
Viti i Ri në Paris: 30 Dhjetor -2 Janar, 3 Netë/4 Ditë, çmimi 650 Euro/person
Viti i Ri Budapest – Vienë: 30 Dhjetor – 04 Janar, 679 euro/person, 3 Netë Budapest + 2 Netë Vienë
Viti i Ri në Madrid: 29 Dhjetor-2 Janar, 4 Netë/5 Ditë, çmimi 880 euro/person
Viti i Ri në Dubai: Nisja në 29 dhjetor, 5 ditë, çmimi 995 euro/person