Nga BUJAR QESJA
Mision historik ky i imi, pa dashur ta vendos e ta tund veten, në djepin e vetëkënaqësisë dhe përkëdhelisë. Historik gjykoj jo nga konkurenca me të tjerë, se sa të shkund nga pema e mirësisë dhe urtësisë durrsake, frutet e saj më të ëmbla, më të shijshme, më të veçanta.
Mentarët tanë! Të aftët tanë! Të vlefshmit tanë! Shumë prej tyre nuk i kemi pranë, i kujtojmë, na dalin në ëndërr dhe përmallohemi deri në qelizë. Më vjen një foto, në formatet e mia elektronike. Janë dy njerëz, që Durrësi i ka në historinë e qytetit dhe durrsakët në historinë e qytetarisë së tyre. Janë dy njerëz, që kanë bërë secili histori në punën e tij dhe që na kanë dhënë ne të tjerëve të drejtën të mburremi me ta, të krenohemi me ta, pasi na i kanë çuar dëshirat deri në qiell.
Në këtë foto, qendrojnë si dikur kur ishin në Durrës: shpikësi i kontenierit shqiptar, shkencëtari i ekonomisë, nga eruditët më të mëdhenj të Durrësit Esat Ypi dhe mjeshtri i topit, si futbollist por veçanërisht si trajner Edmond Miha. Fotoja nuk është e rastësishme. Edmond Miha jeton prej vitesh në Vjenë të Austrisë, së bashku me familjen. Ndërsa Esat Ypi është i vendosur në Treviso të Italisë, në krah të fëmijve Evisit dhe Indritit.
Miqësia e tyre është shembullore, që kur ishin në Durrës. Dhe për marshallah është ruajtur si më parë, e bukur, e pastër, hyjnore. Rri e vështroj gjatë foton. E bukur dhe e gjallë si vetë pozuesit. Eh moshat janë shumë të ndryshme. E ç’rëndësi ka kjo, para bukurisë shpirtërore, miqësisë së pastër dhe të hershme si dy durrsakë, duke mos e lëkundur dashurinë për qytetin dhe bashkëqytetarët e tyre, sikur e njëherë.
Esat Ypi! Edmond Miha! Të kundërt në zanat e në pasione, por shumë të përbashkët në nacionalizmin e tyre, e veçanërisht në lokalizmin e tyre. Sa mirë na vjen, që ndodh kështu! Esat Ypi, i datëlindjes 21 shtator 1936. Edmond Miha, i lindur me 23 qershor 1956. Diferenca plot 20 vite. Esat Ypi është 87 vjeç dhe Edmond Miha 67.
Por miqësia dhe vëllazëria e tyre, është lidhur shumë herët, atëherë kur Mondi luante dhe shkundte zemrat e tifozërisë dhe kur më pas drejtonte, rilindjen e futbollit durrsak dhe Esat Ypi, primo violinist i ekonomisë dhe kokë drejtuese, e shkencës së avancuar të transportit detar.
Dhe tani i shikojmë që të dy në një foto, në një pamje, që na kujton kohën e shkuar, ashtu siç përmënd Gavril Dara i riu: “ mori bijë , bij e lalës, pse më kujton motin e shkuar…”. E malli të përplaset fuqishëm në shpirt, e prej tij del lëngu i kujtimeve që lag zemrën time. Mondi me zonjën e tij shumë të dashur Mozën, vijnë në Itali dhe kërkojnë të takohen me Esat Ypin, mikun e kahershëm.
“Miq ishim dhe miq mbetëm”. E fuqishme kjo sentencë, duke i mbuluar të dy miqtë e thekur, me vellon e bukur të respektit dhe mirnjohjes. Foto është, e ditëve të para të janarit të vitit 2023, gati e 8-9 muajve më parë. Por sa e pastër, sa e bukur, sa me shkëlqim, sa me dritë, sa oksigjen shpirtëror prezanton kjo foto e rrallë, me vlerë historike. Takohen dy mentarë durrsakë në tokë të huaj, por pa e lëkundur identitetin dhe trashigiminë e tyre.
Sa shumë i dha futbollit durrsak Edmond Miha! Punoi me moshat, kaloi me të rriturit dhe e ngjiti karierën, deri në trajner i ekipit kombëtar “Shpresa” të Shqipërisë. Mesfushor me “Lokomotivën” në mesin e viteve 70-të, deri në mesin e viteve 80-të, për të marrë në dorë, trajnimin e brezave të futbollit të vendlindjes, deri në mesin e viteve 90-të. Është meritë e tij dhe e kolegut Bashkim Koka ,“Teuta” kampione e vitit 1994, ani se u sos sezoni nga i mirnjohuri Haxhi Ballgjini.
Është meritë e tij, që trajnimi me specialistë durrsakë, u çfaq edhe në Maqedoni dhe në Austri. Është shkruajtur për Mondin, për aftësitë dhe zotësinë e tij, nga shtypi ynë dhe ai europian.
I një tjetër plani Esat Ypi. Çfarë zotnije? Çfarë intelektuali dhe kuadri? Çfarë prerje, janë aftësitë e tij të jashtëzakonshme? Maestro i kontenierit, është në finale të jetës në Treviso të Italisë, ku një dhomë të shtëpisë ia ka kushtuar Durrësit, mallit dhe sentimentit të pafund të vendlindjes. Ai ndjek në imagjinatë për çdo orë, e për çdo ditë, simfoninë e valëve të detit, që vjen nga pjesa durrsake e “Adriatikut”.
Esat Ypi dhe Edmond Miha, në fokusin e gazetarit të qytetit, i cili është dhe mbetet miku dhe shoku i tyre i përjetshëm. Një amanet që vjen nga prindërit tanë, e që plot gjasa, vazhdon po kaq saktë dhe mirë edhe tek ne.
Kur u largua Mond Miha dhe Moza nga Treviso, Esat Ypi i rënë plotësisht në detin e thellë të nostalgjisë, gjen rastin të nxjerr lapsin, mbi ujët e mallit dhe të shkruaj këtë shënim:
Të dashurit dhe fort të çmuarit Mondi dhe Moza!
Ju fizikisht ikët nga Treviso, por ju siguroj se e vërteta është, që keni mbetur këtu dhe ndoshta përjetësisht. Është e pamundur të harrojmë atë të qeshur, që vetëm fëmijët e kanë aq të pastër, atë dashuri dhe mall që sollët, atë vlerësim dhe respekt për familjen time, që nuk e kursyet ta çfaqnit tërë gëzim.
E dinim që ishit një çift i shkëlqyer, ndaj insistuam prej vitesh t’ju takojmë. Ato pak orë që kaluam bashkë, na bindën se kjo lidhje e pa oksidueshme, ishte vepër e shpirtërave, që komunikojnë vetiu me të ngjashmin e tyre.
Zoti ju pastë në kujdes, në një jetë tejet të gjatë, të mbushur me kualitete.
Për këtë do lutemi fort unë, Evisi dhe Indriti.
Bujar Qesja
Durrës: 5 shtator 2023
Pamje e parë, nga e djathta: Esat Ypi dhe Edmond Miha.
Treviso: janar 2023
Pamja e dytë: Esat Ypi, para kryeveprës së tij, kontenierit të parë shqiptar.
Pamja e tretë: Edmond Miha, në vitet e sukseseve në futbollin durrsak.