Edon Zhegrova po kërkon të largohet nga ekipi i Lille gjatë merkatos së verës dhe ka përfunduar në radarin e Juventusit, të cilët janë në kërkim të lojtarëve të duhur për skemat e trajnerit Thiago Motta.

Bardhezinjtë po planifikojnë të rivitalizojnë skuadrën e tyre në muajt e ardhshëm për t’i siguruar trajnerit të ri përforcimet e nevojshme për të konkurruar me Interin dhe Milanin.

Drejtuesit e “Zonjës” janë të vetëdijshëm se nevojiten afrime të rëndësishme për rikthimin në Champions League dhe Botërorin e Klubeve të rinovuar.

Dyshimet rrethojnë të ardhmen e Federico Chiesa-s dhe Juventusi nuk dëshiron të kapen në befasi, kështu që drejtori sportiv Cristiano Giuntoli është në kërkim të një anësori të ri për të forcuar vijën e parë të sulmit.

Gazeta Tuttosport shkruan se Zhegrova po kërkon të largohet nga Lille këtë verë dhe së fundmi ka ndryshuar agjentin e tij duke firmosur me Hasan Çetinkaya, dikush që Giuntoli e njeh mirë pas shitjes së Denis Zakarias te Monaco verën e kaluar.

25-vjeçari ka tërhequr vëmendjen e Juventusit dhe çmimi i tij prej 15 milionë eurosh e bën atë një opsion tërheqës për drejtorin Giuntoli, i cili po mendon të nis negociatat për anësorin kosovar në javët e ardhshme.

Megjithatë Juventus, nuk do ta ketë të lehtë të firmos me Zhegrovën, pasi për të interes ka shfaqur edhe Roma, që synon të ndërtoj një skuadër kompetitive.