Nga BUJAR QESJA
Nuk dua të futem në biografinë e secilit. Janë dy emra të njohur, nga ato që mund të quhen zotërinjtë e topit të magjishëm. I kam njohur që të dy. Zanati im e ka këtë privilegj. Njeh shumë, takon shumë, krijon mbresa po të tilla, të cilat nxisin fantazinë për të hedhur mendime si tani. Në magazinën time të pafund të fotove, që janë jetë dhe dukuri historike të natyrave të ndryshme, kapa këtë pamje. Si zakonisht e vështroj gjatë foton dhe filloj të flasë me të. Flas në emër të kohës që ka kaluar, në emër të kujtimeve që janë fiksuar, në emër të jetës së përbashkët që kemi konsumuar.
Me Mond Mihan kuptohet si durrsak, kam kaluar një shoqëri dhe miqësi që nuk mund të harrohet. Janë aq shumë punë për t’u bërë, saqë nuk do të ishte keq që të ulem dhe të hedh kujtimet aq të çmuara të krijimit të Klubit të Futbollit “Teuta”. Ishim katër miq dhe shokë të ngushtë. Jemi edhe tani, por që takohemi pak ose aspak. Kjo për vetë angazhimet që ka secili. Në këto rradhë, do ta kaloj shkarazi këtë kapitull historik të futbollit durrsak, por nuk mund të mos i përmënd këto fakte.
Isha drejtor i pallatit të Sportit “Puntori” në vitin 1991. Vartësia ishte nga Klubi sportiv “Lokomotiva”. Në këtë vit miqësia me Edmond Mihan, Bashkim Kokën dhe Stavri Nicën ishte forcuar së tepërmi. Mund ta konsideroj si katërshen themeluese të klubit të futbollit “Teuta”. Miqtë e mi më bënë thirrje, që ta leja pallatin e sportit dhe të mos ndahesha nga kjo bërthamë e rrallë, që ka vlera të mëdha në organizimin, drejtimin dhe cilësinë e futbollit në Durrës. Në mos gaboj në vjeshtën e vitit 1992, u dha porosi që futbolli të ndahej më vete.
Dhe duheshin bërë zgjedhjet. Në zgjedhje me votim të fshehtë, u vendos që sekretar i Klubit të Futbollit “Teuta” të jetë Bashkim Koka. Pra ky fakt duhet të dihet. Gjithashtu vlen të dihet edhe fakti tjetër, që futbolli durrsak në fillimet e arta të një dekade të jashtëzakonshme do të kishte trajner dyshen Edmond Miha dhe Stavri Nica. Dhe unë padyshim nuk mund ta lija vetëm këtë trio, duke ndërtuar kuartetin “fluturues”, që aq shumë ndikoi në ecurinë e vrullshme të një qyteti me traditë në futboll. Secili në punën e tij dhe së bashku për mbrojtjen e interesave të futbollit durrsak.
Këtu u përgatit bërthama e ekipit kampion, e fitueses së kupës, e rritjes së reputacionit ndërkombëtar të “Teutës” sonë të famshme të Durrësit. Edmond Miha, djali i një sportëdashësi të flaktë të Teutës, mikut tim të rrallë Vasil Mihas që jeton pranë dy djemve të tjerë në Athinë, ka një meritë të jashtëzakonshme për gjallërimin e futbollit durrsak, duke futur mentalitetin e fituesit, të krenarisë dhe kryelartësisë.
Së bashku me një tjetër djalë të shkëlqyer të Durrësit Bashkim Kokën, kaluan nga mëngjesi deri në mbrëmje vite pune, lodhje dhe stërmundime për të ngritur së pari ulur futbollin tonë të Durrësit, së dyti për ta çuar në këmbë dhe së treti për ta bërë të vrapojë. Talentet e futbollit që dolën në kohën e Mihas dhe të Kokës, janë nga brezi më i artë i futbollit bregdetas. Bashkëngjitja tek ta e Stavri Nicës, përforcoi ardhjen e pranverës për futbollin durrsak. Natyrisht pozicioni im si kronikan i këtij futbolli, i jepte ngjyra publike kësaj dukurie të re, e cila mbetet kapitulli më i artë dhe më i zhvilluar i futbollit të qytetit, pse jo edhe me përmasa kombëtare.
Edmond Miha krejt papritur dhe për arsyje të tijat, largohet nga Durrësi, por nuk do të largohet kurrë nga ajo punë e mrekullueshme dhe titanike që kreu. Në këtë shkrim po e shpreh për herë të parë, se mbeta shumë i ligështuar nga ikja nga futbolli dhe qyteti i një shoku dhe miku të rrallë. Ndjenjë të tillë përjetuan edhe dy shokët e tjerë Bashkim Koka dhe Stavri Nica. Mondi kaloi në Maqedoni, punoi mirë me futbollin vendas të Tetovës. Më tej u ndal në Austri, ku jeton me gjithë familje. Miqësia me Edmond Mihan nuk ka për t’u shkëputur kurrë. Ajo do të mbetet e rezervuar në memorien time, si një kapitull i avancuar shoqëror, por edhe i një bashkimi që u vendos plotësisht në interes të futbollit të Durrësit.
Sa i takon Eduart Dervishit, ai mbetet një model drejtuesi, një mik i madh, një zotni me shkallë befasuese çivilizimi. Për mua është model jo vetëm i një drejtuesi me dije dhe personalitet, por shumë trim dhe kurajues, duke punuar në kushte tmerrsisht të vështira. Kujtoni vitet 90-të, se çfarë kaloi vëndi ynë dhe për pasojë edhe futbolli. Kjo kohë mbase mbetet tjetër pjesë, ku mund të shtrij hulimtimet e mia, për të treguar pasigurinë që kemi patur teksa ndiqnim “Teutën” tonë edhe duke u shinjestruar nga gryka armësh të dala sheshit.
Ed Dervishi për të cilin duhej të mbetemi krenar, së pari si drejtues me aftësi dhe mënçuri të rrallë, duke qenë sot nga zyrtarët e lartë të Federatës Spanjolle të futbollit dhe së dyti duke na dhënë një libër me kujtime për futbollin shqiptar ‘’Kohë ndryshimesh”. Pamja që po ekspozoj, e cila ka 27 vjet që “flen” në shtratin aktiv të arkivës time, fikson momentin historik dhe të rrallë për futbollin durrsak. Është 23 prilli i vitit 1994. Populli i Durrësit kishte ardhë i tëri në stadium. “Teuta” luante me “Vllazninë” dhe fitorja e bënte të ishte një javë para përfundimit kampione e Shqipërisë. Kjo do të ndodhte për herë të parë. Në këtë ditë feste për qytetin e Durrësit, Ed Dervishi dhe Mond Miha janë ulur së bashku, sikur kërkojnë të thonë:
-Ja pasojat e një pune të jashtëzakonshme të kryer me futbollistët e rinj. Qyteti lëviz si një vullkan, duke hedhur kraterin e gëzimit mbi secilin.
Ed Dervishin edhe e kam kritikuar, veçanërisht në gazetën time “Teuta Sport”. Por kurrë nuk më mbajti mëri. Ky zotni fanatik ndaj futbollit, e çmonte shtypin, i vlerësonte gazetarët dhe i inkurajonte ato. Por rrisku që mbante Eduart Dervishi si drejtues i FSHF-së ishte i madh. Në kurriz të tij binin anomalitë që krijoheshin, gjykimet tendecioze, organizimet e ndeshjeve nëpër klube që jo pak çalonin, kushtet dhe masat për zhvillimin e një ndeshje normale kishin mangësi etj.
Por Dervishi mbeti shpirti tolerant. Ai vështronte kryesoren. Ai e donte zhvillimin e futbollit dhe sakrifikoi për të. Edhe arsyjet e largimit të tij nga futbolli nuk i di plotësisht. Mbase presionet? Mbase perspektiva më e mirë larg Shqipërisë? Këto janë punët e tija. Ndërsa ajo që dëshiroj të nënvizoj, është kostumi vizionar që ka vesh Eduart Dervishi, puna e të cilit na bën nder edhe në Spanjë.
Një foto, shumë mall! Një foto e dy personazheve të dorës së parë për futbollin shqiptar, e veçanërisht i Mihas për futbollin durrsak. Janë dy zotni që na bëjnë nder. Janë një binom që na përfaqëson, në modelet ku duhet të shkojmë.
Dhe për mua dyshja Dervishi-Miha, mbetet dyshja e përjetshme që futbolli shqiptar, duhet ti vendosë në librin e nderit të historisë së tij.