18 korrik 2015 – Deputeti i Partisë Demokratike Eduard Halimi ka denoncuar në media djegien e makinës së shefit të Auditit të KQZ-së Armand Teliti.
Sipas deputetit Halimi, ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm, ku automjeti familjar i Telitit është shkrumbuar totalisht nga flakët.
Duke e cilësuar këtë veprim një akt të qëllimshëm dhe mafioz, Halimi u shpreh se kanë dyshime se prapa këtij akti kriminal është dyshja Dako-Roshi, për shkak të detyrës së Telitit, i cili pak javë më parë denoncoi skemën kriminale te zgjedhësve fiktive në Durrës dhe Kavajë.
Halimi u bëri thirrje policisë së shtetit dhe prokurorisë të zbardhë sa më shpejt ngjarjen dhe të vërë para drejtësisë organizatorët dhe autorët e krimit.
Për ngjarjen në fjalë, policia e Durrësit sqaron se kanë nisur hetimet, ndërsa nën administrim është marrë automjeti i djegur, i cili ndodhet në komisariatin e Durrësit ku po kryhen hetimet përkatëse.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





