Ajo që befason dhe mbetet risi për basketbollin jo vetëm të Teutës, por edhe atë kombëtar ndërmjet klubeve, është përpjekja e Eduart Tafës për të sjellë në Durrës një trajner të huaj. “Dyrrah” ka mundur të zbulojë se ky trajner do të jetë nga Mali i Zi, por ende nuk bëhet i ditur identiteti i tij
Pak është folur për Eduart Tafën, këtë njeri të mirë e pasionant pas basketbollit. Është nga të rrallët në sportin e lojrave, që ushqen basketbollin durrsak nga paratë e xhepit të tij. Pa mohuar kujdesin e vazhdueshëm të bashkisë së qytetit, e cila ka zbutur ndjeshëm angazhimin financiar për lojtarët e sportit të koshit, ky Ed Tafa është tejet aktiv për të zbutur ato shpenzime, ku klubi shumësportesh Teuta e ka të vështirë të ndërhyjë. Sezoni që sapo u mbyll, e pozicionoi Teutën në vendin e katërt në grupin A, duke i dhënë fund dilemave të hyrjeve dhe daljeve të zakonshme në një grup më poshtë. Pas Tiranës, Kamza Basket dhe Vllaznisë u rendit Teuta duke lënë pas Flamurtarin dhe Universitetin Amerikan të Tiranës.
Sekretari i klubit shumësportesh Teuta, është në bashkëpunim të ngushtë me presidentin e ekipit Eduart Tafa dhe që tani po ravijëzojnë ekipin e basketbollit për edicionin e ardhshëm. Idea është të ndërtojnë një Teutë kompetitive, me basketbollistë që kanë dalë nga shkolla durrsake e basketbollit. “Duhet të zgjojmë më tej traditat e pasura të basketbollit durrsak,- deklaron për “Dyrrah” Eduart Tafa. Nevojitet qëndrueshmëri dhe ecuri e mbarë e prezantimit. Kemi shumë punë për të bërë, por jemi të bindur të ngjallim kohën e artë të basketbollit durrsak të kohës kur luanin Profkola, Reka, Agaraj, Kalebota, Dollani, Çumashi, Xhufka, Hotova, Çela etj. Po analizojmë me detaje se si mund të angazhohemi në merkato, por së pari duam të ndërtojmë një ekip që t’i vijë era Durrës. Kemi besim se do t’ia arrijmë, duke qenë të matur, por edhe duke guxuar për të bërë atë që kërkohet, më të mirën”.
Largimet
Si për të argumentuar fjalët e presidentit të Teutës në basketboll, Eduart Tafa, filluan të vihen re edhe reagimet e para. Krahas lojtarëve vendas, në Durrës sezonin që përfundoi kanë luajtur edhe Elton Saliaga, Enio Fjolla dhe dy shkodranët Fation Taraboshi dhe Erion Llazani. Sekretari i klubit shumësportesh Teuta Emiljan Jani, bën me dije se janë lënë të lirë basketbollistët e “huaj” Saliaga, Fjolla, Llazani dhe Taraboshi. Aktualisht kanë filluar të stërviten basketbollistët vendas Ervin Berberi, Denis Veselaga, Klevis Isaku, Klejdi Domi, Ilmi Pasha dhe Bledar Dodaj. Gjithashtu është larguar edhe trajneri Alban Kastrati, i cili duhet vlerësuar për ndihmesën e dhënë në këtë Teutë mbresëlënëse të sezonit të kaluar.
Prurjet
Me interesim nga amatorët e basketbollit priten edhe prurjet e reja në ekip. Sfida është tejet e hapur, duke pretenduar për një kthim si në kohën e të parëve. Por cilët janë lojtarët që zëvëndësojnë jabanxhinjtë, por që edhe kanë vlera suksesi? Orion Garo sapo është kthyer nga studimet master në Danimarkë dhe pranon të luajë me ekipin e origjinës. I gjatë 2.10 m Garo trajtohet si një goditjet më të efektshme të merkatos. Përvoja e gjatë me ekipet e huaja dhe atë kombëtar janë pluse që pritet nga Garo për të investuar në Teutën e re ambicioze. Jehonë ka bërë edhe ardhja nga Greqia e basketbollistit 20 vjeçar Niko Thana. Është aktivizuar në serinë B të basketbollit grek dhe është mjaft i talentuar. Asi i Teutës Marsel Aliaj, i grumbulluar tani së fundi me ekipin kombëtar dhe i aktivizuar në basketbollin italian në njërin prej ekipeve të Milanos, është i gatshëm t’i bashkëngjitet këtij grupi në janarin e vitit 2013. Dhe sigurisht me këtë goditje, Teuta rritet në performancën e saj konkuruese. Por ajo që befason dhe mbetet risi për basketbollin jo vetëm të Teutës, por edhe atë kombëtar ndërmjet klubeve, është përpjekja e Eduart Tafës për të sjellë në Durrës një trajner të huaj. “Dyrrah” ka mundur të zbulojë se ky trajner do të jetë nga Mali i Zi, por ende nuk bëhet i ditur identiteti i tij. Por ajo që vlen është se me basketbollin po bëhet një punë profesionistësh, me qëllimin e mirë ruajtjen dhe përsosjen e traditave të këtij sporti në Durrës.