Nga Mira Peku Zhiti
DURRËS, 12 tetor 2014– Edukimi shihet si një proces i gjerë dhe shumë dimensional, i cili ndikon fuqishëm jo vetëm në asimilimin e elementeve të kulturës sunduese nga anëtarët e një shoqërie, por bëhet dhe mënyrë modelimi të marrëdhënieve dhe veprimtarive njerëzore. Detyrë e edukimit është që të përshtasë elementët kulturorë me prespektivat e së ardhmes, në mënyrë që të sigurojë një pamje të plotë të shoqërisë dhe qëllimeve të saj. Edukimi është parë gjithmonë si përpjekje optimiste njerëzore e karakterizuar nga aspiratat për progres dhe përmirësim. Është perceptuar si mjeti më i mirë për të arritur barazi më të madhe sociale. Është procesi i transmetimit të vlerave nga njeri brez tek tjetri, normave,sjelljeve,simboleve kulturore, duke i pasuruar dhe përshtatur me ndryshimet shoqërore aktuale. Me zhvillimin e shoqërisë dhe veçanërisht me rritjen e ritmit të ndryshimeve ekonomiko-shoqërore dhe teknologjike,rëndësia,roli i arsimit dhe i të nxënit për shoqërinë njerëzore, kanë marrë një vlerë gjithnjë e më të madhe. Një edukim i mirë është investimi më i mirë. jo vetëm për individët por për të gjithë shoqërinë në tërësi.Shoqëria e sotme na vendos gjithmonë përballë me modelet kulturore,qëndrimet dhe sjelljet e ndryshme të cilat duhet të përballohen dhe të kapërcehen në prespektivën ndërkulturore.
Një komb zhvillohet përmes kulturës, duke ruajtur traditën,duke promovuar e përkrahur të renë,të cilat përcjellin ecjen krenare,por dhe të qenësishme të vetë kombit.Vlerat kulturore përbëjnë masat kryesore për zhvillimin dhe emancipimin.Kultura është shpirti i popullit sepse nxit turizmin kulturor dhe parandalon emigrimin e artistëve dhe bashkë me ta,të intelektualëve dhe njerëzve të shquar që mund të shfrytëzojnë dijet e tyre në zhvillimin ekonomik të një vendi.
Në bazë të kulturës shkëmbimet midis vendeve të ndryshme bëhen më të thjeshta, sepse ajo është ura që lidh kombet me njëra- tjetrën.Kultura është çelësi që mbledh njerëzit e mençur për të punuar së bashku. Pikërisht ka ardhur koha që kjo elitë te japë kontributin e saj në vend. Por çfarë është gati t’u ofrojë Shqipëria? A jemi të vetëdijshëm që evokimi dhe promovimi i vlerave kulturore kombëtare përveç rëndësisë në nivelin botëror të njohjes, është i efektshëm dhe në dimensionin edukativ. Produkti final që arrihet në këtë mënyrë njohje, propozimi dhe orientimi te vëmendja drejt vlerave, padyshim që mund të përbëjnë një kontribut të çmuar për përcaktimin e një modeli edukimi. Ky model në raport me shkallën e njohjes dhe mënyrën e përdorimit ( shkolla, familja dhe komuniteti ) do të përsoste vazhdimisht dhe në mënyrë spontane stilin e jetës.
Shqipëria është një destinacion turistik i sigurt me vlerë të lartë,që karakterizohet nga një larmi e pashoqe e atraksioneve natyrore e kulturore të klasit botëror në një sipërfaqe të vogël gjeografike.
Ka ardhur koha që të ngrihet dhe të veprojë si institucion më vete operatori kulturor i cili do të menaxhonte vlerat kulturore në mënyrë të përgjegjëshme mjedisore dhe sociale.Në këtë rast Shqipëria do të bëhej lehtësisht e mbrritëshme nga tregjet europiane.Operatori kulturor tashmë operon në vende të ndryshme të botës duke dhënë ndihmesë në përhapjen e kulturës dhe bashkëveprimit me kulturat e tjera.
Ky operator e shikon kulturën si mjeti i parë i komunikimit dhe shprehjes së bashkëpunimit.Qëllimi i tij është rritja e nivelit të njohjes dhe admirimit te burimeve kulturore.Ruajtja e saj ,mbështetja dhe zhvillimi ,promovimi i potencialeve kulturore dhe turistike vlen për të krijuar një imazh tërheqës mbi identitetin tonë.Misioni i tij është rritja e ndjeshmërisë së shoqërisë kundrejt vlerave të trashëgimisë kulturore,përmes edukimit dhe komunikimit ndërkulturor në mënyrë që kjo pasuri t’u ngelet brezave në të ardhmen, për një zhvillim të qëndrueshëm të turizmit në vend.
Individualizimi i mjeteve të duhura formuese që i shërbejnë një edukimi cilësor të të rinjve, duke i orientuar drejt vlerave të patjetërsueshme është padyshim një prej sfidave më të mëdha të komuniteteve moderne dhe atyre në zhvillim.
Mospranimi i sfidave do të sillte frikën për tu përballur me kulturat e vendeve të tjera.Frika do të sillte shmangien nga e sotmja dhe e ardhmja.Shmangia do të largonte rrugën drejt integrimit me vendet e qyteteruara.
Të tilla iniciativa synojnë të ndërgjegjësojnë të rinjtë mbi komunikimin ndërkulturor,bashkëpunimin dhe zhvillimin shumëdimensional personal dhe qytetar. Ato nxisin kërkimet individuale dhe mbështesin nismat në promovimin dhe zhvillimin e aftësive ndërkulturore.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





