Drejtoria Vendore e Policisë së Durrësit ka festuar sot 107-vjetorin e themelimit të saj, në një ceremoni të zhvilluar në ambientet e kësaj drejtorie.
Në emër të policisë së Durrësit foli zv.drejtori Gani Zenelaj, i cili tha se “kjo ditë feste na bën të kthejmë kokën pas e të shikojmë brezat që kanë bërë sakrifica sublime siç janë heronjtë e saj që kanë falur edhe jetën për të.
Policia e Shtetit nuk shikohet më si një institucion ndëshkues por si një shërbim ndaj çdo qytetari në shërbim të të drejtave themelore të njeriut. Këtë vit policët e Durrësit ishin në krye të detyrës në mbështeje të njerëzve pas tërmetit të 26 nëntorit”.
Prefekti i Qarkut të Durrësit, Roland Nasto tha se “në këtë periudhë një shekullore policia ka bërë një transformim të madh në misionin e saj për garantimin e të drejtave themelore të njerëzve.
Strukturat e policisë as në ditët më të errëta nuk e kanë humbur nocionin e ekzistencës dhe të misionit të saj, madje duke sakrifikuar edhe me jetën e punojësve më të mirë të saj”.
Pavarësisht se punonjësit e policisë së Durrësit luajtën një rol kyc në përballimin e post-situatës pas tërmetit të 26 nëntorit, ata nuk u shpërblyen nga ana e Ministrisë së Brendshme, madje për herë të parë nuk morën qoftë edhe një shpërblim minimal për festat e fundvitit.
Bashkia e Durrësit i dha një certifikatë mirënjohjeje drejtorisë së policisë së Qarkut, në shenjë falenderimi për punën e bërë dhe ndihmën e dhënë banorëve të prekur nga tërmeti tragjik.
K.H.





