Efektivi i FNSH, Nikollë Lekndreaj ka humbur jetën mbrëmjen e djeshme teksa kthehej në shtëpi në fshatin Bardhaj.
Ndërsa banorët e zonës kanë folur për mediat, ku kanë treguar se ngjarja ka ndodhur për shkak të motit të keq dhe errësirës.
Ata e kujtojnë efektivin si njeri shumë të mirë dhe shprehen se u ka dhembur në shpirt kjo ngjarje e rëndë.
“I kemi shtëpitë ngjitur. Ai ka qenë vetëm me dritat e motorit, ka qenë terr gjithkund. Ishte burr i mirë fort”,-tha një nga fqinjët.
“Ishte përmbytur krejt, këtu ka qenë det, atë e di Zoti, por ka pasur ujë shumë. Ka qenë me motor me drita ndezur dh iu ka dukur tokë gjithëkund”, thotë një nga banorët e zonës.
51-vjeçari po kthehej rreth orës 2:50 të mëngjesit me motor dhe dyshohet se për shkak të errësirës dhe motit të keq ai ka humbur kontrollin e motorit e ka përfunduar në një kanal me ujë.
Rrjedha e ujit e ka marrë me vete efektivin, trupi i të cilit u gjet mëngjesin e kësaj të mërkure gjatë kontrolleve në kanalin që të çon në lumin Kir.