Dy shpërthime kanë përgjakur të Dielën e Palmave në Egjipt, një prej ditëve më të shenjta të kalendarit të krishterë që paraprin Pashkët.

Shpërthimi i parë ndodhi në një kishe koptike të qytetit të Tantas, ku të paktën 25 persona u vranë e rreth 70 të tjerë u plagosën.

Autoritetet dyshojnë se bëhet fjalë për një shpërthim të telekomanduar dhe bomba mund të ketë qenë e vendosur poshtë një stoli. Megjithatë, nuk përjashtohet as mundësia e një sulmi kamikaz. Në kishë gjendeshin rreth 2 mijë besimtarë.

Një orë pas shpërthimit, policia arrestoi 2 persona që dyshohen se janë të përfshirë në sulm. Pak orë më vonë, një shpërthim i dytë ndodhi në një tjetër kishë në Aleksandri, ku, sipas të dhënave paraparake, kanë humbur jetën të paktën 11 vetë e shumë të tjerë janë plagosur. Atje po mbahej një meshë nga Papa Tawadros i dytë, kreu i Kishës Koptike, i cili nuk ka pësuar lëndime. 

Ngjarja shënohet vetëm pak javë përpara se Papa Françesku të vizitojë Egjiptin, si dhe të takohet me përfaqësues të minoritetit të krishterë egjiptian, që përbën rreth 10 për qind të popullsisë së Egjiptit.