Ekipe nga Egjipti dhe nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK) kanë marrë leje për të kërkuar trupat e pengjeve të vrarë që ndodhen nën rrënojat e Gazës, me qëllim që t’u dorëzohen autoriteteve izraelite.
Qeveria izraelite deklaroi se ekipet kanë marrë leje për të kërkuar përtej të ashtuquajturës “vijë e verdhë”, në zonën e Gazës që kontrollohet nga Forcat e Armatosura Izraelite (IDF).
Ndërkohë, të dielën, mediat izraelite raportuan se edhe anëtarë të Hamasit kanë marrë leje për të hyrë në zonën e Gazës që kontrollohet nga IDF, për të ndihmuar në kërkimet së bashku me ekipet e KNKK-së.
Hamas ka dorëzuar 15 nga 28 pengjet izraelite të vrarë, në kuadër të fazës së parë të një marrëveshjeje për armëpushim që u arrit me ndërmjetësimin e SHBA-së, e cila kërkon dorëzimin e të gjitha trupave të pengjeve. Grupi njoftoi se aktualisht po bashkëpunon me autoritetet egjiptiane.
Donald Trump paralajmëroi Hamasin që të fillojë t’i kthejë trupat “shpejt, përndryshe vendet e tjera të përfshira në këtë paqe të madhe do të ndërmarrin veprime”.
Një zëdhënës izraelit deklaroi se ekipi egjiptian ka marrë leje për të bashkëpunuar me Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq për të identifikuar trupat dhe do të përdorë ekskavatorë dhe kamionë për kërkime përtej “vijës së verdhë”.
“Vija e verdhë” shënon kufijtë që shtrihen përgjatë veriut, jugut dhe pjesës lindore të Gazës, deri ku është tërhequr Izraeli, në kuadër të fazës së parë të marrëveshjes së armëpushimit.





