Në emisionin “The Dalina Show”, Egli Tako foli për raportin me Gjestin. Ajo dha për herë të parë rrëfimin e plotë, duke sqaruar shumë nga ato që publiku i kishte perceptuar ndryshe.

Fillimisht, ajo u ndal te momenti i famshëm kur iu ul në gjunjë Gjestit, gjë që u komentua gjerësisht si shenjë “lutjesh” për vëmendje:

“Ka qenë ironike. Fatkeqësia është që njerëzit nuk kanë arritur ta kuptojnë… Ka qenë një moment i shoqëruar me batuta. Unë jam deklamative nga natyra, por ka qenë thjesht ironi. Në gjunjë nuk i jam ulur as tim ati.”

Pra, sipas saj, gjithë narrativa televizive që e paraqiti si “përndjekëse” ishte më shumë produkt manipulimi dhe interpretime të sipërfaqshme.

Egli pranoi se për disa banorë kishte krijuar lidhje të forta emocionale, mes tyre edhe me Gjestin:

“Kam thënë disa herë ‘të dua fort si njeri’. Për mua kjo është parësore. Nuk ka lidhje me obsesion dashuror. Pavarësisht se dashuria dhe romanca shiten më shumë në televizion.”

Ndaj edhe raportin me Gjestin e sheh më tepër si një shoqëri të ngushtë, të krijuar për shkak të rrethanave:

“Nuk është se më frymëzonte. Më bënte për të qeshur, kaloja mirë. Ishte personazhi i duhur në vendin e duhur. Unë isha personazhi i gabuar në vendin e duhur.”

Përtej shtëpisë më të famshme në Shqipëri, Egli u tregua e rezervuar:

“Nuk preferoj të flas për asnjë person që nuk është këtu me mua përpara kamerës. Çfarë ka ndodhur atje është realitet televiziv. Sot jam single.”

Pra, marrëdhënia është mbyllur përfundimisht:

“Absolutisht. E pritshme. Nuk dua të jetoj më në deluzion. Kam jetuar një periudhë aty brenda në iluzione, por ishte një eksperiencë e bukur. Dua ta mbaj mend si një shok gjatë Big Brother-it.”

Egli madje pranoi se as numrin e Gjestit nuk e ka në celular:

“Jo. Vërtet nuk e kam.”