DURRES, 16 qershor 2013 – Ekipi durrsak i Rilindjes ka zhvilluar një tjetër takim entuziast me banorët e zonës së ish-Kënetës në Durrës.

Në takim merrnin pjesë pjesëtarët e ekipit durrsak të Rilindjes Blendi Klosi, Klodiana Spahiu, Namik Dokle, Esmeralda Shkjau, kryebashkiaku i Durrësit dhe njëkohësisht anëtari i kryesisë së PSSH Vangjush Dako dhe kryetarja e forumit të gruas socialiste të rrethit Durrës Alda Kushi. Në takim kanë marrë pjesë edhe kreu i PS të qytetit Durrës Alfred Mullaraj dhe dy figura të  njohura të PSSH Qemal Minxhozi dhe Viktor Doda.

Në takim ka përshëndetur kryebashkiaku Vangjush Dako i cili ka deklaruar se Bashkia e Durrësit është hasur me bllokimin total të qeverisë që e pengon në çdo çast në punën e saj. Kryebashkiaku Dako deklaroi se pas 23 qershorit situata e rëndë financiare e Bashkisë së Durrësit do të marrë fund. Bashkia e Durrësit- shtoi më tej Dako- me çlirimin nga kjo situatë bllokuese pas 23 qershorit do të kryejë një sërë investimesh të rëndësishme edhe në këtë zonë që do të transformohet tërësisht. Në lidhje me një tjetër process të rëndësishëm për këtë zonë sic është legalizimi kryebashkiaku Dako deklaroi:

“Legalizimi i banesave tuaja është një proces mjaft i rëndësishëm por qeveria aktuale ka dështuar ashtu si në të gjitha fushat edhe në këtë proces. Ndërkohë ne si PS kemi marrë një zotim që brenda dy viteve të para të mandatit të qeverisë me Edi Ramën kryeministër do të përfundojë plotësisht procesi i legalizimeve. Gjithashtu legalizimi i banesave në zonat informale do të jetë me kosto zero, pra konkretisht legalizimi i banesave në zona të tilla si në zonën tuaj të ish kënetës do të jetë falas.”

Deputeti Blendi Klosi deklaroi se pas 23 qershorit Shqipëria do të marrë frymë lirisht pasi do të rimëkëmbet ekonomia deh do të ulet ndjeshëm papunësia me hapjen e 300 mijë vendeve të punës nga qeveria socialiste. Klosi deklaroi se tek programi i Rilindjes gjejnë zgjidhje problemet më të mprehta të shqiptarëve dhe vendi do të rilindë pas 23 qershorit kur fillon edhe koha e Edi Ramës.

Në fjalën e tij Namik Dokle deklaroi se në 23 qershor vjen një epokë e re që është epoka e Edi Ramës dhe e Rilindjes së vendit. Dokle ka theksuar se vetëm me votën për Edi Ramën kryeministër dhe për programin e Rilindjes vendi do të rimëkëmbet dhe ekonomia do të rilindë. Deputetja Klodiana Spahiu deklaroi se të gjithë bashkë duhet të votojmë në 23 qershor për PS dhe numrin 29 për të ardhmen e Durrësit dhe të gjithë vendit dhe për tu shkëputur njëherë e mirë nga kjo qeveri që ka rrënuar shqiptarët.

Banorët e zonës së ish kënetës me thirrjet e tyre entuziaste kanë shprehur bindjen në fitoren e thellë të së majtës në 23 qershor ditë në të cilën do të nisë edhe rilindja e vendit me qeverinë socialiste me Edi Ramën kryemnistër.