Ekipi i Teutës për femra në shah, u shpall kampione e Shqipërisë, pasi mundi në finale Tiranën.
Në tërësi skuadra e drejtuar nga trajneri Lorenc Ramaj, zhvilloi gara të shkëlqyera në kampionatin “Vlora Chess Fest”, zhvilluar në qytetin bregdetar.
Eglantina Shabanaj mundi 1-0 Kleana Shuqjan, po 1-0 fitoi edhe talentja Kler Çaku përballë bullgares Karaivanova Petya. Suzana Kërçiku mundi 1-0 Eklea Omerin, ndërsa ndeshja mes Dea Ramaj dhe Dobrovolska Bozhena (Ukrainë) u mbyll 0.5-0.5.
Pas marrjes së medaljeve, trajneri i Teutës në shah, Lorenc Ramaj, u shpreh:
“Fitore e merituar e vajzave tona. Unë si trajner ndihem shumë i lumtur për këtë sukses, pasi e fitojmë titullin kampion pas 22 vitesh. Gërshetimi i sportisteve të reja me ato me eksperiencë, solli edhe këtë titull të rëndësishëm”.
Teuta mori pjesë me këto sportiste: Eglantina Shabanaj, 15 vite kampione e Shqipërisë, Kler Çaku kampione Europe dhe kampione e Shqipërisë, Kleana Shuqja ish-kampione, Eklea Omeri, Suzana Kërçiku, Dea Ramaj si dhe me talentet e së ardhmes Ashanti Meçe, Mia Çaku, Donatea Shuqja, Ailin Ndreko dhe Fiona Hoxha.
Te djemtë spikati Franc Ashiku IM, kampion i Shqipërisë, Ergit Ramaj CM kampion i Shqipërisë të rinj U16, Samuel Zenelaj FM dhe Mateu Boçi.
Ndërkohë te djemtë triumfoi ekipi i Partizanit, që zhvilloi paraqitje mjaft të mira.