Kryeministri Rama kërkon të përsërisë në Durrës më 25 prill, fitoren e 4 viteve më parë, kur mori 8 mandate deputetësh.
Madje, para se të zbardhte listën e kandidatëve, ai deklaroi se objektivi bazë ishte 8, ndërsa objektivi maksimal ishte 9 mandate.
Por me kë ekip kërkon të përsërisë Rama fitoren historike të PS-së në Durrës, në vitin 2017, që u zbeh disi pas publikimit në media të përgjigjeve të dosjes 339 dhe akuzave për manipulim dhe blerje votash?
Vendin e parë në listë, Rama ia ka besuar ministres së bujqësisë Milva Ekonomi, e cila, megjithëse është durrsake, do të mbulojë Krujën gjatë kësaj fushate. Ekonomistja Ekonomi do të rivalizojë me një tjetër femër për votat e krutanëve. Përballë do të ketë mësuesen Merita Bakiu, që garon nën siglën e koalicionit opozitar “Aleanca për ndryshim”.
Në vend të dytë në listë është një tjetër ekonomist, apo më saktë kontabilist. Bëhet fjalë për durrsakun Alban Xhelili, kandidaturë që surprizoi jo pak strukturat e PS-së në Durrës. Xhelili pozicionohet në një vend mjaft të favorshëm në listën e Partisë Socialiste dhe në prezantimin e tij pritet të zbardhen më shumë detaje lidhur me përfshirjen e tij në këtë fushatë zgjedhore.
I treti pozicionohet deputeti i legjislaturës së kaluar, Jurgis Çyrbja, i cili synon mandatin e dytë rresht. Rikandidimi i Çyrbes u prit me reagime nga kundërshtarët e tij politikë, ndërkohë që deputeti ka nisur prej javësh takimet elektorale në njësitë administrative të Ishmit, Manzës etj, zonë elektorale të cilën do të mbulojë gjatë fushatës.
Në vend të katërt në listë është pozicionuar mjekja e njohur në Durrës, Klodiana Spahiu. E njohur si një gocë Durrësi, mjeke e përkushtuar dhe një personalitet që përcjell më së miri vlerat qytetare, Spahiu kandidon për mandatin e 4-ërt rresht. E futur në parlament që në vitin 2009, mjekja e njohur në Durrës ka ruajtur përgjatë viteve një profil qytetar, pa u përfshirë në debatet e forta dhe akuzat e ndërsjellta mes kampeve politike.
Vendin e 5-të, Rama ka zgjedhur t’ia besojë deputetit të Shijakut, Ilir Ndraxhi. Megjithëse gjatë 4 viteve në parlament rezultoi ndër deputetët që thuajse asnjëherë nuk e mori fjalën në foltore, Ndraxhi ka marrë sërish besimin e Ramës për të kandiduar në zonën e tij elektorale, ku gëzon një përkrahje të gjerë popullore, por rikandidimi i tij nxiti reagimet e forta të së djathtës dhe disa prej opinionistëve në studiot televizive.
Vendi i 6-të i është besuar Rrahman Rrajës, i cili u bë pjesë e fokusit të mediave vetëm kur djali i tij u akuzua për dhunimin e ish të dashurës. Megjithëse SPAK ka nisur një hetim pasuror ndaj tij, pas arrestimit të nipërve të Rrajës në vendet e BE-së, kryeministri i ka besuar sërish Fushë-Krujën, ku përballë do të ketë studenten e arkitekturës Ambra Ulliri. Ndërsa Rraja synon të koleksionojë një mandat të dytë, Ulliri do të tentojë të futet për herë të parë në Kuvend si zëri i të rinjve. Ashtu si Çyrbja e Ndraxhi, rikandidimi i Rrajës u dha mundësi përfaqësuesve të së djathtës të riartikulonin akuzat ndaj tij.
Në vend të shtatë në listën e PS-së, Rama ka vendosur të kandidojë një “peshë” të rëndë, deputetin Lefter Koka. Megjithëse në legjislaturën e kaluar Koka fitoi një mandat deputeti nën siglën e LSI, këtë vit ai është rikthyer në partinë nga e cila nisi karrierën politike, fillimisht si kryetar bashkie i Durrësit. Nëse do t’i referohemi vitit 2017 dhe objektivit të Ramës për 25 prillin, vendi i Kokës në listë konsiderohet i sigurt. Koka, gjatë viteve kur fitoi 3 mandate deputeti nën siglën e LSI-së ka treguar se merr gjatë çdo fushate një numër të madh votash personale. Pozicionimi i tij në vend të shtatë nga Rama duket se është bërë me qëllimin që i gjithë arsenali elektoral i Kokës të angazhohet fuqishëm në fushatë për të siguruar mandatin e 7-të. Ka qenë viti 2013, kur PS arriti të marrë mandatin e 7 në Durrës, duke thyer për të parën herë bindjen se Durrësi është një qark i djathtë. Me një eksperiencë tashmë të gjatë në fushatat zgjedhore parlamentare, duke nisur që nga viti 2009, kur mori mandatin e parë, Koka synon këtë herë që me votat e tij t’i sjellë një mandat PS-së.
Në vend të 8-të në listë, Edi Rama ka pozicionuar veten. Ashtu si në qarqet e tjera, ku drejtuesit politikë i ka vënë në vijën e zjarrit, në Durrës Rama e mori përsipër vetë një rrezik të tillë. I pranishëm thuajse çdo javë në Durrës përgjatë vitit të fundit, për të ndjekur nga afër procesin e Rindërtimit, Rama synon votën e durrsakëve krahas votës së vlonjatëve.
“Në Durrës kam njerëzit e babës”,- tha ai para ca ditësh, ndërsa pak kohë më parë deklaroi se “Durrësi do të ketë një vëmendje të madhe gjatë mandatit të tretë”.
25 prilli do të përcaktojë nëse durrsakët do t’i besojnë edhe një mandat tjetër Ramës për të mbyllur punët e panisura ende në qytetin bregdetar apo do ta ndëshkojnë me votë, ashtu siç premton e djathta që paralajmëron se “përmbysja” do të nisë nga Durrësi.
M.B.





