Nga Musë KABASHI

Las Vegas

Nga 30 nëntor – 3 dhjetor 2024, në Orlando, Florida, të SHBA-ve, u zhvillua evenimenti prestigjoz i bilardos “Mosconi 2024”, në të cilin u shpall fitues ekipi i Europës, me rezultatin e përgjithshëm 11-6.

“Mosconi Cup”, e emërtuar në nder të mjeshtrit amerikan të bilardos Willie Mosconi, është një tournament i disiplinës ‘’9 gurë’’, në të cilin përballen 5 sportistët me renditjen më të lartë nga kontinenti europian, kundër 5 më të mirëve të SHBA-së.

Eklent Kaçi, bilardisti shqiptar, prej vitesh i afirmuar në arenën ndërkombëtare të bilardos, ishte përfaqësuesi i Shqipërisë në ekipin fitues.

Nënkampion bote në fuqi, Kaçi ishte i pari që u kualifikua si pjesë e Europianëve, pas vendit të dytë në kampionatin botëror që u mbajt në Jeddah të Arabisë Saudite, në maj të këtij viti.

I lindur në Laç në vitin 1999, ai është shprehur se bilardon e ka fillluar që në moshën 8-vjeçare, dhe që atëherë nuk është shkëputur më prej saj. Me pasion, këmbëngulje dhe stërvitje deri në 8 orë çdo ditë, ai ka arritur të bëhet pjesë e elitës ndërkombëtare të bilardos, duke na përfaqësuar me dinjitet në evenimente si UK Open, European Open, World Pool Masters dhe së fundi Mosconi Cup.

25-vjeçari është shpallur kampion bote në disiplinën ‘’10 gurë’’, në vitin 2021 dhe 2023, në Las Vegas, Nevada, ndërsa Kupën Mosconi e ka fituar dhe dy herë të tjera.

Vitin e kaluar, pas një aksidenti të rëndë rrugor prej të cilit pësoi dëmtime serioze në krahun e majtë, iu pamundësua të ishte pjesë e perfaqesueses Europiane. Duket se tashmë është rikuperuar plotësisht dhe i është rikthyer formës së mëparshme.

Por Eklenti duket se nuk është i vetmi në familje që po korr suksese në këtë sport.

Kledio, vëllai i tij i vogël duket se ka zgjedhur të ndjekë gjurmët e tij.

18 vjeç, ai u shpall gjithashtu fitues i Stockholm Open në Suedi pak ditë më parë, me një paraqitje dinjitoze edhe në arenat e Hanoi Open në Vietnam dhe në International Open në ShBA.

Sipas Emily Frazer, drejtueses së Matchroom Pool, “viti i ardhshëm do jetë i mbushur me evente të bilardos, duke dëshmuar kështu një trend në rritje të pëlqyeshmërisë së këtij sporti”.