Një proces auditi në bashkitë e reja, pas ndarjes së re administrative, ka nxjerrë në pah deri më tani 35 milionë euro detyrime të panjohura në pushtetin vendor. Në këtë mënyrë, qeveria ka vënë në sekuestro tatimore 24 njësi vendore, ndër to edhe Bashkia e Kavajës, Fushë-Krujës, Divjakës, Përmetit etj.

Shoqëritë përmbarimore, të cilat më parë nuk kishin asnjë mundësi të arkëtonin detyrimet që ish-komunat kishin krijuar ndaj të tretëve, tani janë drejtuar tek bashkitë e mëdha, duke sekuestruar likuiditetet. Si rezultat i kësaj situate, Bashkisë së Shkodrës iu sekuestrua pak kohë më parë fondi mbi 150 mijë euro nga përmbaruesit, si detyrim i njërës prej komunave që i është bashkangjitur asaj pak kohë më parë.

Në vendin tonë, deri tani, praktika juridike ka njohur falimentin vetëm në sektorin privat. Kjo sepse, edhe pse në vështirësi të mëdha financiare, kompanitë apo institucionet publike ia kanë dalë të mbijetojnë me taksat tona. Por, ajo që ka ndodhur vitet e fundit është e pazakontë. Mbi 25 njësi vendore, nga këto 14 janë ish-komuna që tani nuk ekzistojnë më, kishin falimentuar kur u transferuan dhe u bashkuan, duke bërë që tani 11 bashki në të gjithë vendin të jenë në prag të falimentit.

Marrë nga revista "Monitor"