Ministri i zhvillimit ekonomik, turizmit, tregtisë dhe sipërmarrjes Arben Ahmetaj deklaroi sot se, qeveria shqiptare ka arritur marrëveshjen me konçesionarin e Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza” për liberalizimin e fluturimeve ndërkombëtare. Tirana International Airport shpk është shoqëria që ka marrë me konçesion, deri në vitin 2025, administrimin e Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”. Tirana International Airport shpk kontrollohet nga AviAlliance GmbH, Deutsche Investitions- und Entwicklungsgesellschaft dhe Albanian-American Enterprise Fund.
Një ndër kushtet kryesore të konçesionit ka lidhje me fluturimet ndërkombëtare, duke i kufizuar ato vetëm tek Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza”. Kjo ka bërë që aeroportet e tjera në vend, ai në Kukës dhe ai në Sarandë, të mos funksionojnë për shkak të mungesës së tregut.
Duke folur sot para Komisioni Parlamentar për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, ministri Ahmetaj tha se “Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes kanë firmosur pjesën e tyre të marrëveshjes për liberalizimin.” “Dua të ndaj me ju, faktin që dokumenti gjendet për procedurë në bordin e konçesionarit, për të ardhur në qeveri e më pas në Kuvend, sepse është mbyllur me sukses negociata, është realizuar heqja e ekskluzivitetit,” – shtoi ministri Ahmetaj.
Megjithatë, ministri Ahmetaj ka thënë se detajet e marrëveshjes nuk do të bëhen publike. Ndërkohë, gjatë dy viteve të fundit, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës është përpjekur të negociojë këtë ndryshim në kontratë, duke i ofruar Tirana International Airport shpk zgjatjen e afatit të konçesionit.