Për Shoqatën Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri (DIHA), ecuria e ekonomisë për këtë vit projektohet me tendencë pozitive, ndërsa qeveria duhet të përqendrohet në nxitjen e atyre sektorëve që kanë më shumë potencial. Por, ajo që shqetëson më shumë drejtuesit e DIHA ka të bëjë me nxitjen e investimeve të huaja, pasi Shqipëria gjendet mes një konkurrence të fortë rajonale. Si shembull merret Maqedonia, e cila ofron kushte më të favorshme, si në sistemin fiskal, ashtu edhe në paketat promovuese. Këto mbështeten nga një administratë e qëndrueshme që krijon një komunikim konstant dhe miqësor, gjë e cila mungon në Shqipëri. Flasin Rolf Castro-Vasquez, president i DIHA, dhe Alexander Zsolnai, zëvendëspresident i DIHA.

Cilat janë pritshmëritë tuaja në lidhje me ekonominë shqiptare?

Ne presim që ekonomia shqiptare për vitin 2016 të rritet mesatarisht në 3% – 3.5%. Një shifër kjo që është disi më e lartë në krahasim me nivelin europian, ndaj dhe ne besojmë se ka disa shanse pozitive për rimëkëmbje. Për vitin 2015, rritja ekonomike, sipas të dhënave të institucioneve ndërkombëtare, ishte rreth 2.3% – 2.5%, ndaj dhe ne besojmë se tendenca pozitive do të vazhdojë edhe për 2016. Megjithatë, duke parë edhe trendin e 2-3 viteve të fundit, mund të themi se ka ende hapësirë për një rritje më të madhe që ndoshta mund të arrijë në 5% – 6%.

Cilat janë shanset dhe rreziqet?

Po, ka shanse të mëdha për momentin, sepse bëhet fjalë për investime të mëdha që janë në proces e që llogariten në shifrën e rreth 2 miliardë eurove. Projekti i Rrugës së Arbërit, që e lidh vendin me Malin e Zi, do të japë një efekt të rëndësishëm, natyrisht këtu përfshihet edhe ngritja e infrastrukturës në lidhje me gazsjellësin TransAdriatik Pipeline. Gjithashtu mund të përmendin se në ekonomi do të ndikojnë edhe projektet e mbartura nga viti i kaluar e që do të përfundojnë zbatimin e tyre. Investimet e Huaja Direkte kanë qenë në nivele të ulëta gjatë dy viteve të fundit e po kështu, edhe ato lokale. Por, përveç TAP, ndikim mund të japin edhe investimet në sektorë si ai i mjedisit, trajtimit të ujërave, energjisë (HEC), etj., që do të jenë në fazën e zbatimit. Si rrezik mund të përmendet rasti i Banker Petroleum, çështje e cila do të kalojë në gjyq dhe që padyshim do të ndikojë në imazhin e vendit. Për investitorët e huaj, rastet e kompanive të mëdha që shkojnë në gjyq nuk janë sinjale pozitive.

Në opinionin tuaj, cilët do të jenë sektorët që do të udhëheqin rritjen ekonomike?

Natyrisht, turizmi mbetet padyshim një nga sektorët me më shumë potencial. Por, ajo që duhet të bëjë qeveria për nxitjen e mëtejshme të tij është që të zgjidhë dhe të orientojë si duhet çështjen e pronësisë mbi tokën. Nëse kjo zgjidhet, atëherë shanset e Shqipërisë për të zhvilluar këtë industri janë shumë të mëdha. Turizmi ka nevojë për shtimin e kapaciteteve akomoduese. Ju duhen hotele. Është në diskutim edhe ngritja e një aeroporti të dytë në Jug. Megjithatë, është e qartë se ju duhet të shtoni kapacitetet dhe të përmirësoni shërbimin. Është koha që qeveria të angazhohet për të nisur një fushatë të mirë marketingu, por edhe të përmirësojë çështje të tjera që kanë të bëjnë me industrinë dhe që do të ndihmojnë në nxitjen e mëtejshme të rritjes ekonomike.

A mund të jetë bujqësia një nga këta sektorë?

Po, natyrisht. Bujqësia prej vitesh ka qenë në “radarët” e qeverisë si një sektor prioritar. Vitin e kaluar, ne kemi vëmë re se ka një përmirësim të ecurisë së këtij sektori. Qeveria, në bashkëpunim me BERZH, por edhe me bankat tregtare, kanë bërë përpjekje për të siguruar likuiditete financime për sektorin e bujqësisë. Në vitin e kaluar pati një ndalesë kreditimi për banesat, por ne mendojmë se mund të kemi zhvillime pozitive. Megjithatë, ky treg mbetet ende i fragmentizuar. Nuk presim investime që shkojnë në shifra të larta, por do të duhet të ecim hap pas hapi. Në fakt, një nga problemet që hasen ka të bëjë me procedurat doganore në kufi. Në këtë rast duhet të bien barrierat, nuk duhet të ketë pengesa dhe zhdoganimet të bëhen shpejt dhe në kohë. Ju keni nevojë për një shërbim të shpejtë doganor. Është e patolerueshme që për të përmbyllur procedurat, në rastin e produkteve ushqimore, të pritet me orë të tëra. Energjia gjithashtu është një sektor premtues. Gjatë dy viteve të fundit ka pasur një kërkesë të ulët për futjen e investitorëve në ndërtimin e hidrocentraleve, por ka ende licenca që duhet të zbatohen. Mendoj se parashikimi është pozitiv sa i përket ecurisë së këtij sektori, kjo edhe falë përmirësimeve që po bëjnë institucionet shtetërore, si KESH dhe OSHEE. Në aspektin menaxherial vihen re përmirësime dhe kjo do të krijojë më shumë besim tek investitorët për projekte të reja. Burimet natyrore, si nafta, por edhe ato minerare, kanë potencial edhe pse ka pasur ndikim të ndjeshëm për shkak të rënies së çmimeve në bursa. Sasitë më të ulëta natyrisht shoqërohen me të ardhura më të pakta. Nga ana tjetër, mendojmë se mund të ketë shanse të mira për të investuar pasi ka hapësira për licenca, si në nivelin lokal, ashtu edhe në atë ndërkombëtar.

Cili është opinioni juaj në lidhje me ecurinë e Investimeve të Huaja Direkte?

Qeveria ka bërë përpjekje për të tërhequr Investime të Huaja Direkte. Ministri Ahmetaj ka qenë në Gjermani për të paraqitur potencialet, por duhet të keni parasysh se ka shumë konkurrencë. Maqedonia po tregohet aktive. Ka një regjim fiskal të favorshëm dhe kjo për ne është një pikë e rëndësishme. Nga ana tjetër, ju duhet të tregoni se jeni të aftë të përmirësoni mjedisin e të bërit biznes. Ministria përgjegjëse po reagon mirë, por problemi qëndron në faktin se procedurat, dokumentacionet duhet të hartohen në kohë dhe këtu ka shumë vend për përmirësime. Kur çështja vjen te niveli bazë, atëherë ka shumë probleme. Në rajon, fluksi i Investimeve të Huaja Direkte ka qenë i ulët, por kjo edhe si pasojë e situatës ekonomike në Europë. Ne dëshirojmë që të sjellim investime të huaja këtu, por duhet të ketë paketa tërheqëse, duhet të ketë një sistem ligjor funksional edhe pse janë bërë përpjekje.

Si e parashikoni mjedisin e të bërit biznes gjatë këtij viti?

Mjedisi i të bërit biznes është tejet miqësor në Shqipëri dhe këtu nuk ka asnjë dyshim. Por, ajo që duhet të përmirësohet ka të bëjë me qëndrueshmërinë e administratës publike. Burimet njerëzore që merren me çështjet e Investimeve të Huaja Direkte ndryshojnë shpesh. Në Maqedoni, tek InvestMacedonia kjo nuk ndodh. Janë të njëjtët njerëz me të cilët duhet të komunikohet dhe kjo shmang shumë probleme. Nëse administrata ndryshon, do të duhet ta nisësh çdo gjë nga e para. Duhet të krijoni struktura të përhershme. Dhe kjo histori përsëritet vazhdimisht. Në Gjermani, ne kemi të njëjtin këshilltar ministri për këto çështje për shumë vite dhe nuk ndryshon. Është shumë e rëndësishme që të ruhen marrëdhëniet me investitorët.

Cili është opinioni juaj në lidhje me masat që po ndërmerr qeveria në lidhje me aksionin kundër informalitetit?

Është një çështje tejet e rëndësishme. Mund të diskutojmë me orë të tëra. Informaliteti ka qenë një çështje e madhe për ekonominë shqiptare, e cila duhet të ndryshonte dhe të bëhej formale në mënyrë që të bëhej konkurruese. Në aspektin makro, ekonomia gri, pra ajo informate, ka një ndikim të madh, pasi bëhet fjalë për të ardhura që nuk reflektohen në PBB. Kur qeveria nisi të ndërmarrë këtë aksion u konsideruan si masa të forta, por në të vërtetë nuk janë, sepse duhet të kuptohet se ekonomia duhet të regjistrohet. Mund të jenë masa disi të forta për individët, por jo për ekonominë, e cila duhet të formalizohet. Për ne, këto masa janë të drejta dhe duhet të vazhdohet me zbatimin e tyre, por jo vetëm në ndërmarrjet e vogla, por edhe në ato të mëdha. Është një proces që duhet të vazhdojë dhe efektet e saj do të jenë në terma afatgjatë.

Si e prisni fuqinë blerëse?

Ne shpresojmë që fuqia blerëse do të rritet gjatë këtij viti. Gjatë dy viteve të fundit, ritmi i rritjes ka qenë i ulët, sepse njerëzit tentojnë që të mos shpenzojnë dhe të kursejnë. Kjo vihet re te rritja e depozitave, ndërsa në përgjithësi ka një kërkesë të ulët për kredi. Ndërsa parashikimi për ekonominë është optimist, atëherë ne besojmë se kjo do të ndikojë edhe për përmirësimin e fuqisë blerëse. Ndikim do të sjellë edhe ardhja e emigrantëve. Situata që ko kalon Italia fqinje mund të ndikojë në ardhjen e tyre dhe kjo do të sjellë futje të parasë në qarkullim. Vitin e kaluar, në gjysmën e dytë, në fakt u vu re një rritje e remitancave dhe ato mund të jenë para që do të hidhen për investim ose do të mbahen për konsum.

Herë pas here është hedhur ideja e një modeli të ri të ekonomisë, pasi burimet po shterojnë. Cili është rekomandimi juaj dhe ku duhet të përqendrohet qeveria?

Qeveria duhet t’i përqendrojë përpjekjet në sektorët e rinj. Megjithatë, për arsye që i përmendëm më lart mund të themi se sektori i ndërtimit do të njohë rritje, por edhe sektorë të tjerë. Sfida nuk është e lehtë. Vëmendja duhet të përqendrohet te sektori i prodhimit, i cili do të gjenerojë më shumë të ardhura dhe punësim. Këtu bëhet fjalë për procese që mbyllin ciklin në vend. Mund të jetë sektori i tekstileve ose i këpucëve, i cili po bëhet gjithnjë e më shumë tërheqës. Por, duhet të jetë me vlerë të shtuar, në mënyrë që të japë ndikim dhe jo rieksporte apo me gjysmë procese. Është e rëndësishme që puna e qeverisë të përqendrohet në ata sektorë që kanë vlerë të shtuar dhe që gjenerojmë më shumë vende pune. Turizmi është gjithashtu një sektor që ka potencial dhe që krijon vende pune. Teknologjia e Informacionit mbetet një gjenerues i mirë. Ju duhet të shfrytëzoni forcën e re dhe të kualifikuar të punës, e cila është një pasuri e vërtetë.

Avantazhet e Maqedonisë në sytë e investitorëve gjermanë

  • Maqedonia po tregohet aktive. Ka një regjim fiskal të favorshëm dhe kjo për ne është një pikë e rëndësishme.
  • Në Shqipëri, burimet njerëzore që merren me çështjet e Investimeve të Huaja Direkte ndryshojnë shpesh. Në Maqedoni, tek InvestMacedonia kjo nuk ndodh. Janë të njëjtët njerëz me të cilët duhet të komunikohet dhe kjo shmang shumë probleme. Nëse administrata ndryshon, do të duhet ta nisësh çdo gjë nga e para. Duhet të krijoni struktura të përhershme. Dhe kjo histori përsëritet vazhdimisht.

Sektorët premtues

  • Vëmendja duhet të përqendrohet te sektori i prodhimit, i cili do të gjenerojë më shumë të ardhura dhe punësim.
  • Turizmi është gjithashtu një sektor që ka potencial dhe që krijon vende pune.
  • Teknologjia e Informacionit mbetet një gjenerues i mirë. Ju duhet të shfrytëzoni forcën e re dhe të kualifikuar të punës, e cila është një pasuri e vërtetë.
  • Bujqësia prej vitesh ka qenë në “radarët” e qeverisë si një sektor prioritar.
  • Energjia gjithashtu është një sektor premtues. Gjatë dy viteve të fundit ka pasur një kërkesë të ulët për futjen e investitorëve në ndërtimin e hidrocentraleve, por ka ende licenca që duhet të zbatohen. Mendoj se parashikimi është pozitiv sa i përket ecurisë së këtij sektori, kjo edhe falë përmirësimeve që po bëjnë institucionet shtetërore, si KESH dhe OSHEE.
  • Burimet natyrore, si nafta, por edhe ato minerare, kanë potencial edhe pse ka pasur ndikim të ndjeshëm për shkak të rënies së çmimeve në bursa. Mund të ketë shanse të mira për të investuar pasi ka hapësira për licenca, si në nivelin lokal, ashtu edhe në atë ndërkombëtar

Marrë nga Monitor.al