Borxhi i jashtëm bruto i Shqipërisë u rrit në afro 7.5 miliardë euro në tremujorin e tretë të vitit 2015, duke u rritur me 8.2 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2014, bëri të ditur Banka e Shqipërisë në raportin e saj periodik mbi këtë tregues.
Borxhi i jashtëm bruto është një tregues që përfshin borxhin e jashtëm të qeverisë, borxhin që bankat marrin jashtë vendit si dhe borxhin e sektorëve të tjerë, përfshirë Investimet e Huaja të Drejtpërdrejta.
Sipas raportit të BSH, borxhi i jashtëm bruto u rrit me 569.4 milionë euro dhe se ai tani është në masën 73.1 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, me rritje prej 3.3 për qind të PBB-së.
Qeveria qe përgjegjësja kryesore e rritjes së borxhit të jashtëm bruto gjatë periudhës në diskutim, ndërsa sektorët e tjerë patën aktivitet të paktë.
“Qeveria e përgjithshme është sektori me peshën më të madhe në totalin e stokut të borxhit të jashtëm, me rreth 41%. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, pesha e borxhit të qeverisë qendrore shënoi një rritje me rreth 3.2 pikë përqindjeje. Stoku i borxhit të qeverisë së përgjithshme arriti vlerën 3,062 milionë euro dhe u vlerësua në 29.9% ndaj PBB-së nominale,” thuhet në raport.
Huamarrja e bankave nga jashtë vendit u rrit me vetëm 64 milionë euro ndërsa huamarrja përmes kanalit të investimeve të huaja të drejtpërdrejta u rrit me vetëm 21.1 milionë euro.
Qeveria shqiptare e rriti huamarrjen e vet të jashtme si pjesë e përpjekjeve për të lehtësuar tregun e brendshëm të kreditit me synimin e uljes së borxhit publik të brendshëm dhe detyrimin e bankave që të japin më shumë kredi. Plani deri tani ka qenë pjesërisht i pasuksesshëm.
Sa i përket stokut të investimeve të huaja të drejtpërdrejta, ato kanë pësuar rritje të papërfillshme.
Banka e Shqipërisë e analizon borxhin e jashtëm bruto si pjesë e punës së saj për të parandaluar kriza të mundshme. Aludohet se nëse disa nga kreditorët e huaj tërhiqen nga ekonomia shqiptare, vendi mund të zhytet në krizë të bilancit të pagesave.
Aktualisht, rreziku që diçka e tillë të ndodhë është minimal, thotë Banka e Shqipërisë, pavarësisht barrës së stërmadhe të borxhit të jashtëm. Shumica dërrmuese e borxhit të jashtëm është në formën e investimeve afatgjata ose kontratave të kredive afatgjata, dhe për rrjedhojë, tërheqja e investitorëve është e vështirë. Për më tepër, një pjesë e konsiderueshme e borxhit të jashtëm mbahet nga institucione financiare ndërkombëtare si Banka Botërore dhe FMN, duke e ulur rrezikun.
Banka e Shqipërisë vëren gjithsesi se barra e borxhit të jashtëm mbi ekonominë shqiptare në tërësi ka qenë në rritje të vazhdueshme gjatë shtatë viteve të fundit. Barra e borxhit matet si raport i borxhit të jashtëm me disa tregues të ndërlidhur, për të kuptuar aftësinë ripaguese të Shqipërisë. Sipas llogaritjeve të BSH, borxhi i jashtëm bruto është aktualisht 2.1 herë më i partë se sa të ardhurat totale vjetore të vendit nga eksporti i mallrave dhe shërbimeve si dhe 2.9 herë më i lartë se sa të ardhurat fiskale të qeverisë. Në vitin 2008, borxhi i jashtëm qe sa “vetëm” 1.3 herë eksporte vjetore dhe 1.4 herë të ardhura vjetore fiskale.
Në anën pozitive, interesat e paguara për këtë borxh nga kompanitë private dhe bankat kanë ardhur në rënie të vazhdueshme gjatë viteve të fundit si pasojë e politikave të interesave të ulëta të ndjekura nga vendet nga ku vjen ky borxh. Për bankat, psh, interesi i paguar për borxhin e jashtëm ka rënë në pothuajse zero që nga viti 2013. Por nuk ka ndodhur e njëjta gjë me koston e borxhit të qeverisë qëndrore. Interesi mesatar i këtij borxhi ka pësuar rritje, sido që rritja ka qenë e vogël.
Marrë nga BIRN