DURRËS, 27 shtator 2013 – Drejtoria ekzekutive e Autoritetit Portual Durrës (APD) sha njofton se ankandi për shitjen e mjeteve dhe mekanizmave të terminalit të kontejnerëve, i planifikuar për t’u zhvilluar më 9 shtator 2013, është anuluar për mungesë konkurrence, bien kështu spekulimet politike-mediatike për shitjen e mekanizmave. Në fakt, qysh më 13 maj 2013, kompania publike APD sha njoftonte se do të zhvillonte më 29 maj 2013 ankand për shitje të mjeteve dhe mekanizmave të terminalit të kontejnerëve në 18 lote (shih tabelën). Janë mjete portale, të cilat përdoren për përpunimin e kontejnerëve në port si vinçat portualë MHC 200(prodhim i vitit 2004) me spreader dhe MHC 115 me spreader (prodhim i vitit 2008), rotator për spreader (prodhim i vitit 2002), reachstacker CS45KS (prodhim i vitit 2002), autovinç FDC320 (prodhim i vitit 1995), autovinç Kalmar DCD70-40 E5 (prodhim i viti 2007), vinç pirun Hyster H 250XL (prodhim i vitit 2001), 5 koka tërheqëse Scania (prodhim i vitit 1996), 5 trajlerë pa dysheme (prodhim i vitit 1996). Këto mjete kanë përballuar vëllime të mëdha pune. Por kanë pasur dhe defekte të shumta, duke pezulluar për ditë të tëra veprimtarinë në terminal. Vlera fillestare e shitjes të të gjitha mjeteve arrin në mbi 520,7 milionë lekë (4.8 milionë dollarë). Shpresohej se mund t’i blente Kurum-i, i cili ka një gjendje të keqe të mekanizmave dhe pajisjeve (më 6 shkurt 2013, në mjediset e drejtorisë së përgjithshme të APD në prani të ministrit të Transporteve, Sokol Olldashi, u nënshkrua procesverbali i dorëzimit për koncesionin terminalit të kontejnerëve në territorin portual. Koncesioni parashikon një investim në vlerën prej 30.5 milionë dollarësh përgjatë 35 viteve të zhvillimit të koncesionit, tha atëherë Olldashi. Sikurse është bërë e ditur, Kurum-i do ta shesë koncesionin). Por ankandi ka dështuar. Më 19 gusht 2013 u njoftua se ankandi do të zhvillohej më 2 shtator 2013. Më 26 gusht 2013 APD sha e çon ankandin më 9 shtator 2013. Por nuk u paraqit askush.

Info

Terminali ka sipërfaqe prej 30 mijë metra katrorë dhe gjatësi kalate operacionale për anijet kontejnerike 120 ml. Kapaciteti aktual i terminalit të kontejnerëve është rreth 45 mijë TEU në vit. Për të bërë përpunimin e anijeve, APD sha disponon 1 vinç të lëvizshëm 120 tonësh,1 elektrovinç 45 tonësh; 4 koka tërheqëse; 2 stivues kontenierësh “Reachstackers” me kapacitet 45 tonë; 4 trailera me kapacitet 40 tonë; 2 pirunë ngritës 12 tonësh; stivues i dedikuar për kontejnerë pa ngarkesë me kapacitet 7 tonë; 51 poste për kontejnerët frigoriferikë.

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/